Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka mohuar masakrën e Reçakut duke thënë se deklaratat e deputetit të Listës Serbe në Kosovë, Ivan Todosijeviç janë e vërteta.
Në mars të vitit 2019, Todosijeviç ka deklaruar se arsye për sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Për këtë deklaratë ai u akuzua për mohim të masakrës së Reçakut dhe të martën iu konfirmua dënimi me 2 vite burg.
Todosijeviç, është dënuar “vetëm sepse ka thënë të vërtetën për Reçakun”, tha Vuçiç, raporton REL.
Vuçiç ka shtuar se “është shkelur rëndë e drejta e Todosijeviçit për gjykim të drejtë” dhe e drejta e lirisë së shprehjes.
Presidenti serb i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Prishtinës që “t’i përmbahet asaj që kanë nënshkruar dhe pranuar” me Marrëveshjen e Brukselit.
Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak, forca serbe vranë 45 shqiptarë të Kosovës. Lajmi për këtë masakër sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që po kryheshin ndaj popullsisë civile në Kosovë dhe i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Gjykata e Apelit në Kosovë e konfirmoi të martën vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pËr dënimin me dy vite burg të Todosijeviç nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.