Xhaçka: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet e integrimit

Nga Exit News
Xhaçka: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet e integrimit

Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.

Ajo takoi të premten homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanin.

Në një konferencë për shtyp, ministrja vlerësoi “vendosmërinë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev”.

Ajo  tha se “do të ishte për të ardhur keq”, nëse nuk do të mbahen konferenca ndërqeveritare.

Ministri i Maqedonisë së Veriut tha se për të dy vendet nuk ka alternativë tjetër përvec anëtarësimit në BE.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe kjo miqësi është përtej interesave të dy vendeve dhe një nga shtyllat për sigurinë e stabilitetin e rajonit”, tha ai.

Në janar kryenoegociatori i Shqipërisë në Bruksel Zef Mazi, tha se  Shqipëria i ka përmbushur kushtet për t’u ulur në konferencën e parë ndërqeveritare me vendet e Bashkimit Europian.

Pjesëmarrja në konferencën e parë ndërqeveritare do të thotë hapja në praktikë e negociatave për anëtarësim me BE-në.

Këshilli Europian vendosi në mars të hap në parim e negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por hapja e kapitujve për anëtarësimin në praktikë nis pas konferencës së parë ndërqeveritare.

Mazi tha se Shqipëria ka përmbushur 5 kushtet që ishin vendosur nga Këshilli: miratimi i Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, ngritja e SPAK dhe BKH, forcimi i luftës ndaj korrupsionit – dhe se tashmë jemi gati për konferencën e parë ndërqeveritare.

Vendimi për caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë i mbetet Këshillit Europian i cili në të shkuarën ka rrëzuar  dy herë rekomandimin e Komisionit për çeljen e negociatave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>