Agron Xhafaj është vëllai i Ministrit të tanishëm të Brendshëm Fatmir Xhafajt, Ministër i Ndërtimit në vitin 2002, Ministër i Drejtësisë në vitet 2003-2005, dhe në fund zëvendës kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në vitet 2005 deri në 2013, më pas kryetar i Komisionit të Ligjeve nga viti 2013 deri në 2017, dhe Kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi nga viti 2014 deri në vitin 2017, pra babai i reformës në drejtësi, e cila me mangësitë dhe mospërputhjet e saj ka paralizuar të gjithë sistemin e drejtësisë.
Pra, nëse Fatmir Xhafaj është babai, vëllai i tij është xhaxhai i Reformës në Drejtësi, i asaj reforme që duhet të pastronte sistemin e drejtësisë dhe të çelte bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Por Agron Xhafaj, edhe përpara se të bëhej publike intervista e një ish-bashkëpunëtori të tij, ishte një narkotrafikant i njohur, i deklaruar i tillë falë një vendimi të gjykatës italiane. Gjithashtu ai është një i arratisur i drejtësisë, pavarësisht nëse Italia e ka kërkuar apo jo ekstradimin e tij.
Ai e dinte, sikurse e dinte edhe vëllai i tij i famshëm, se ishte dënuar me 7 vjet e dy muaj burg në Itali dhe kishte një borxh për të kryer ndaj drejtësisë italiane.
Dhe meqënëse në çdo sistem drejtësie dënimi rehabiliton një të dënuar, atëherë një i dënuar i cili nuk kryer dënimin, nuk paguan borxhin me drejtësinë, mbetet në mënyrë të padiskutueshme një kriminel, një i arratisur, një person që i fshihet drejtësisë, një person që nuk duhet të ecë i lirë në rrugët e një vendi normal.
Ndërkohë, në Shqipëri, Agron Xhafaj padit deputetët e opozitës dhe i quan denoncimet e fundit ndaj tij si sulm politik dhe veten një viktimë të sistemit.
Por qytetarëve nuk i duhet të dinë nëse është ende aktiv në narkotrafik për të thënë se Agron Xhafaj nuk është një viktimë e sistemit. Pavarësisht se është “xhaxhai” i reformës në drejtësi, ai vazhdon të mbetet një kriminel dhe do jetë i tillë deri në momentin që do të ketë kryer dënimin. Dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë nëse akuzat e tjera kundrejt tij nuk do të hetohen.