Ylli Manjani, ish-ministri i saposhkarkuar i Drejtësisë, deklaroi sot se është shkarkuar nga detyra me urdhër të Kryeministrit Rama pasi ka folur pa “marrë leje nga Endri Fuga”, drejtori i Komunikimit në Kryeministri.
Zoti Manjani sqaroi në një konferencë për shtyp arsyet e shkarkimi të tij. Ndër të tjera Zoti Manjani u shpreh:
- U njoftova nga mediat për shkarkimin tim. Kështu u katandis kjo qeveri, duhet të komunikojmë përmes medias sepse mesazhet nuk funksionojnë.
- Shkarkimi im është hakmarrje e pastër për qëndrimet e mia në raport me kanabisin.
- Debati më i madh ka qenë se përse fola për përhapjen e kanabisit në vend. Pas kësaj, u shtua presioni ndaj Ilir Metës për të më shkarkuar.
- Në qeveri, po fole pa lejen e Fugës shkarkohesh.
- Në një sistem demokratik kërkohet t’i mbyllet goja ministrit.
- Ministri nuk është zëdhënës shtypi i propagandës qeveritare dhe të dalë e të thotë që çdo gjë është në rregull kur nuk është.
- E vërteta është se kjo është një qeveri e kapur dhe jashtë çdo standardi kushtetues e ligjor.
- Partnerët ndërkombëtarë i kanë kërkuar kryeministrit Rama të shkarkojë Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
- Ndërkohë që hidhnin akuza ndaj meje për lidhje me Klement Balilin, ministrat e Ramës flinin me dashnoret tek Santa Quaranta (hoteli në pronësi të Klement Balilit).
- Kur unë kam thënë “të arrestohet Klement Balili”, drejtorët e policisë së Ramës hanin e pinin tek Santa Quaranta.
- Me të drejtën e fjalës dhe lirinë e mendimit, Kryeministri Rama ka shumë probleme. Ndërhyn kudo. Ministrat e tij kanë frikë të flasin.
- Me Kryeministrin Rama nuk kemi debatuar për çështje personale, por parimore e ligjore.
- Kam bërtitur për koncesionet, për t’i thenë qeverisë që nuk jemi gati të koncensionojmë gjithcka kur nuk jemi gati të përballojmë faturën financiare.
- Nuk jemi votuar për të dhënë shërbime me koncension, por të administruar më mirë.
- Qeveria, pa dakordësinë e Ministrit të Drejtësisë, ka dhënë 2 milionë euro për një studio avokatore që do të merreshin me Becchetin dhe e humbën
- I mbetem mirënjohës përjetë Ilir Metës dhe Lëvizjes Socialiste për Intergrim për mundësinë që më dha.
- Ndihem i nderuar që jam shkarkuar nga kjo qeveri!