Ambasadorja amerikane Yuri Kim përshëndeti SPAK për dënimin e 11 personave, të përfshirë në dosjen 339.
Ajo tha se ky është një shembull i bashkëpunimit të fortë midis zbatuesve të ligjit SHBA dhe Shqipëri.
“Një goditje tjetër e madhe kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK dënoi 11 kriminelë, përfshirë zyrtarë publikë, për vjedhje të pasurisë publike me vlerë 60 milion euro. Kjo është pjesë e Dosjes famëkeqe 339”, tha ajo në Twitter.
Kim tha se shpreson që SPAK “të vazhdojë të prodhojë rezultate”.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi të mërkurën 11 persona për tjetërsimin e pronave në Shëngjin tek zona e Ranës së Hedhur.
Dosja e tjetërsimit të pronave në Lezhë është e lidhur me atë të bandës së Avdylajve dhe laboratorit të heroinës zbuluar në Has, në tetor 2018, njohur si Dosja 339.
Grupi i zyrtarëve që merrej me tjetërsimin e pronave në Lezhë u zbulua gjatë përgjimeve të telefonatave të bandës së Avdylajve të Shijakut, të akuzuar për trafik droge.
Të enjten Kim përshëndeti dënimin e 17 personave të përfshirë në trafikim droge, pjesë e dosjes 339.