“Qeveria në Shkup po përpiqet të mohojë historinë tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse kemi mosmarrëveshje bilaterale”. Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një shkrim të saj për magazinën gjermane “The European.de”, raporton REL.
Zaharieva u shpreh se Bullgaria pranon vetëm identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945 ndërsa akuzoi qeverinë, për “mohimin e historisë së përbashkët”.
“Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka”, ka shkruar Zaharieva.
Zaharieva akuzoi Shkupin për mos zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, dhe për diskriminim të investitorëve bullgarë.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së” ka deklaruar Zaharieva.
Shefja e diplomacisë bullgare ka thënë se Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja të kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.
Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.
Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve mes Shkupit dhe BE-se derisa të njoh gjuhën e tyre si bullgare.