Zgjedhja e presidentit të ri, një tallje e turpshme me sigurinë

Nga Alban Dafa
Zgjedhja e presidentit të ri, një tallje e turpshme me sigurinë

Anti-Meta u zgjodh. Emri i tij është Bajram Begaj. Por mënyra se si u zgjodh duhet të na bëjë të mendojmë për rolin e  presidentit të Republikës dhe mënyrën se si e zgjedhim.  

Procesi ishte haptazi tallës ndaj normave kushtetuese, tregoi mungesën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies institucionale dhe përshfaqi karakterin thelbësisht anti-demokratik të përzgjedhjes së presidentit të Republikës.

Pavarësisht se është krijuar një perceptim në shoqërinë tonë se pozicioni i presidentit të Republikës është thjesht ceremonial, ai është në fakt mjaft i rëndësishëm për partitë qeverisëse. Nëse Presidencën e mban një zyrtar jo i predispozuar për të bashkëpunuar me qeverinë, çuarja përpara e agjendës qeveritare për politikat e sigurisë mund të kthehet në një makth të vërtetë. Presidenti ka fuqinë për t’i bllokuar emërimet e disa pozicioneve kyçe të sigurisë kombëtare, duke përfshirë drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, komandantët e Forcave (Tokësore, Detare, Ajrore), shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ambasadorët e Republikës. 

Ilir Meta tregoi fuqinë e vërtetë të Institucionit të Presidencës, pavarësisht se e përdori atë në mënyrë brutale në shërbim të interesave të tij politike. Presidenca e tij tregoj se presidenti i Republikës mund të veprojë si një mekanizëm shtesë kontrollues e llogaridhënës për politikat e sigurisë kombëtare, ndërkohë që perceptimi dhe dëshira e elitave politike për ta parë atë thjesht si noter të qeverisë u rrëzua.  

Përvoja e hidhur e socialistëve me Metën dhe dështimi i mundimeve të tyre për t’ia kufizuar pushtetin Institucionit të Presidentit bëri që ata të jenë edhe më të vendosur për të qenë hermetik në procesin e përzgjedhjes së presidentit të ri.

Pas dështimit të raundit të tretë të zgjedhjes së presidentit me 3/5 e deputetëve të Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve u mblodh në datën 31 maj dhe caktoi datën 4 qershor për të mbajtuar seancën e raundit të katërt, gjatë të cilit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë. U përcaktua që kandidatura do të shqyrtohej prej Komisionit të Çështjeve Ligjore në ora 16.00 përpara se të votohej në seancë plenare në ora 18.00. Partia Socialiste, me dijeni të plotë të këtyre afateve, u mblodh në datën 3 qershor dhe në mbrëmje lajmëroi se kandidati i propozuar prej saj ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Ndërkohë që afatet e vendosura prej Konferencës së Kryetarëve ishin qesharake për të shqyrtuar kandidaturën e kujtdo që prendohet se do të jetë kreu i shtetit, publikimi i kandidaturës 24 orë para votimit tregon mungesën e seriozitetit të Partisë Socialiste, duke e kthyer procesin e zgjedhjes së presidentit në një formalitet administrativ. 

Në këtë proces u përfshi edhe presidenti Meta, i cili me një kurajo të pashoqe nuk u shqetësua se në ç’gjendje do të lihej drejtimi i Forcave të Armatosura. Nuk bëri pyetjet elementare mbi gjendjen e sigurisë dhe të Forcave të Armatosura. Nuk takoi zëvendës-shefin e Shtabit të Përgjithshëm për t’u siguruar që ishte kryer një kalim i qartë i detyrave dhe përgjegjësive, por rendi të dekretonte lirimin e gjeneralit më pak se një orë para se kandidatura e tij të merrej në shqyrtim nga Komisioni i Çështjeve Ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese.

Përveç klasës politike, edhe konstitucionalistët shqiptarë dështuan në ruajtjen dhe mbrojtjen e standardeve kushtetuese për zgjedhjen e një ushtaraku aktiv si president të Republikës. Ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre nuk bënë deklarata publike për t’i mbrojtjur ato standarde, për njërën syresh gjeneral Begaj mund të zgjidhej president edhe duke qenë ushtarak – pa u liruar. Sipas konstitucionalistes Anastasi, për shkak se zgjedhja nga Kuvendi nuk do e vishte atë me pushtetin e presidentit, ai mund të lirohej para se të merrte detyrën si president i Republikës.  

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Neni 167 (1) i Kushtetutës nuk thotë se një ushtarak aktiv mund të zgjidhet apo emërohet në një detyrë shtetërore me kusht që të lirohet nga shërbimi aktiv përpara se të vishet me pushtetin e detyrës së re, por bën më mirë se kaq. Thotë shprehimisht se ‘Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore’.  Sakaq, Kushtetuta i detyron ushtarakët aktivë të lirohen prej shërbimit ushtarak nëse duan që të zgjidhen apo emërohen në një detyrë tjetër shtetërore, çka do të thotë se nuk mund të jesh në shërbimin aktiv dhe të zgjidhesh nga Kuvendi për president. 

Kjo dispozitë kushtetuese nuk është aspak një pengesë dytësore. Ajo synon të krijojë një hapësirë kushtetuese për të ndarë sferën e detyrave ushtarake prej atyre që u përkasin institucioneve të tjera shtetërore. Në të njëjtën kohë parandalon kontrollin politik e partiak të Forcave të Armatosura. Sigurisht që kjo dispozitë nuk është e mjaftueshme për të parandaluar krijimin e një marrëdhënieje interesi nëpërmjet të cilës një ushtarak i lartë shpërblehet me një pozicion të ri shtetëror në këmbim të shërbimeve që mund t’i ketë bërë partisë. Do duhej të vendosej një distancë disa-vjeçare midis detyrës së fundit ushtarake dhe asaj civile për t’u siguruar që Forcat e Armatosura t’i shërbejnë vendit dhe jo partisë.

Ky rast tregon jo vetëm që ka një mungesë shqetësuese të debatit publik për rëndësinë e presidentit të Republikës, por edhe një zhvlerësim dhe moskuptim të përgjithshëm shoqëror e akademik të marrëdhënieve civilo-ushtarake. Klasa politike ka dështuar në këtë proces dhe nuk mund ta gëzojë më këtë privilegj. Zgjedhja e presidentit të Republikës duhet të debatohet gjerësisht dhe në fund të vendoset nga populli.

 


Alban Dafa është hulumtues i çështjeve të mirëqeverisjes dhe sigurisë. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2011 dhe më pas ka shërbyer në rradhët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në vitin 2016 është diplomuar me Master në Arte për Politikën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lindjes së Mesme nga Universiteti i Ekseter në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet programit të bursave “Chevening”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>