Emmanuel Macron, kandidati për President i Francës, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të reformohet, në të kundërt dhe Franca mund të largohet, njësoj si Mbretëria e Bashkuar.
“Unë jam pro-evropian, mbrojta vazhdimisht gjatë këtyre zgjedhjeve idetë dhe politikat evropiane sepse besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme për popullin francez dhe për vendin tonë në këtë kohë globalizimi.
Por në të njëjtën kohë duhet të përballemi me situatën, të dëgjojmë qytetarët që janë shumë të zemëruar që BE nuk është më e qendrueshme,” deklaroi Emmanual Macron në një intervistë për BBC.
Më tej, kandidati i qendrës së majtë tha se mandati i tij si President i Francës do të jetë njëkohësisht një mundësi që me idetë e tij të japë kontributin në reformimin e gjithë Bashkimit Evropian, e jo vetëm të Francës. Macron u shpreh se nëse do të lejonte BE-në të vazhdonte të funksiononte siç ka funksionuar deri më tani, do të ishtë një “tradhëti” ndaj ideve të tij.
“…ndaj nuk dua ta lejoj këtë gjë, sepse më pas do të kemi një Frexit ose Frontin Kombëtar [partia e kandidates për Presidente Marine Le Pen],” përfundoi deklaratën e tij Macron.
Raundi i dytë dhe përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit Francez do të zhvillohet më 7 maj.
Rezultatet e sondazheve deri më tani tregojnë fitoren e Emmanuel Macron me diferencë të madhe, 62 për qind përkundrejt 38 për qind për Marine Le Pen.