Zoti Basha dhe ligji i arsimit: shkëputje nga klientelizmi apo pragmatizëm politik?

Zoti Basha dhe ligji i arsimit: shkëputje nga klientelizmi apo pragmatizëm politik?

“Ne mbështesim pa asnjë kufizim, ne mbështesim tërësisht protestën e ligjshme të studentëve. Ne jemi në krahun e tyre dhe kërkojmë zhbërjen e këtij ligji klientelist dhe korruptiv dhe dhënien e të drejtës kushtetuese të arsimit publik me tarifa të përballueshme nga prindërit dhe familjet e studentëve shqiptarë.”

Kështu ka deklaruar sot kryetari i opozitës Lulzim Basha. Ky është qëndrim ndryshe nga ai që zoti Bashka ka mbajtur para pak muajsh, kur ligji u miratua në Kuvend. Edhe pse Partia Demokratike ishte shprehur paraprakisht kundër projekt-ligjit, ajo nuk mori pjesë në votim duke i hapur rrugën miratimit të ligjit me votat e shumicës, pa hasur vota kundër.

Madje, Zoti Basha personalisht telefonoi para votimit shumë nga deputetët demokratë që të sigurohej se ata nuk do të merrnin pjesë në votim.

Abstenimi i PD-së ishte nderi që Zoti Basha u bëri disa prej njerëzve më të afërt të tij, pronarë universitetesh private, të cilët ishin hartuesit dhe sponsorizuesit e ligjit që do ju sjellë atyre para publike për universitetet e tyre.

Kjo është hera e parë që Zoti Basha e quan ligjin klientelist. Para pak ditësh në emisionin Opinion, ai sulmoi shumë ashpër korrupsionin dhe klientelizmin e qeverisë, duke përmendur madje emra biznesmenësh dhe afera konkrete. Por, ndërsa nuk harroi të përmendte edhe prokurime të vogla për klientelizëm, ai nuk përmendi asnjë herë ligjin për arsimin e lartë.

Mund të spekullohet se ky ndryshim i Zotit Basha është një manovër politike për të përfituar nga protestat studentore kundër ligjit, të cilat duket se po fitojnë momentum. Ndërkohë, as klientëve të tij nuk ju prishet punë, pasi tashmë nuk ka më gjasa që ligji të anullohet.

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>