Greqia dhe Shqipëria ndodhen në një fazë ku ka vullnet për bashkëpunim të ndërsjelltë sipas zv/ministrit të Jashtëm grek Miltiadhis Varviciotis.
Numri dy i diplomacisë greke deklaroi në një intervistë në radio se aktualisht dy vendet kanë dy çështje të hapura ku po bashkëpunohet për t’i zgjidhur.
Së pari ai iu referua çështjes së minoritetit grek në Shqipëri e cila përfshihet në kuadrin negociues të Shqipërisë me BE-në dhe e dyta është çështja e delimitimit të kufirit detar.
Sipas Varviciotis, zërat brenda Shqipërisë kundër zgjerimit të Greqisë me 12 milje duan të ushqejnë një klimë nënshtrimi mes dy vendeve.
“Të dy palët jemi në fazën e përpunimit të dosjes me pozicionet përkatëse që do paraqesim në Hagë. Siç e dini, në Shqipëri ka reagime të fuqishme të brendshme në lidhje me zhvillimet e fundit me zgjerimin e Jonit me 12 milje, nga Greqia, madje deklarata janë bërë edhe nga presidenti i vendit, Ilir Meta dhe nga opozita, ndërsa qeveria e Ramës ka deklaruar hapur se është e drejta e Greqisë, që nuk cënon aspak të drejtat e Shqipërisë dhe nuk është e nevojshme klima e nënshtrimit që duan të ushqejnë zërat kundër.”
I pyetur në lidhje me vizitën e kryeministrit Rama në Turqi dhe takimin e tij me Erdogan, zv/ministri i Jashtëm grek vuri në dukje se ajo ishte kryesisht e kufizuar në çështje që lidhen me marrëdhëniet ekonomike.
“Në lidhje me vizitën Rama në Turqi, përfundimet që ne nxorëm nga ky takim janë se u kufizua në çështjet ekonomike dhe marrëveshje ekonomike mes dy vendeve, duke shmangur çdo deklaratë politike, që mund të karakterizonin dhe një bashkëpunim ushtarak strategjik nën kuadrin e NATO-s”