SHBA-të do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend.
Kjo është deklarata e Mathew Palmer, Zëvendës Ndihmës-Sekretari i Shtetit në SHBA, në një intervistë përmes postës elektronike për gazetarin e Top-Channel, Muhamed Veliu.
Për krizën politike në vend Palmer u shpreh se nuk janë SHBA-të që duhet të zgjidhin krizën politike në vend, por vetë partitë politike.
Ai e kritikoi djegjen e mandateve dhe bojkotin e parlamentit:
Djegia e mandateve parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve, dhuna që kemi parë në protestat e organizuara politikisht janë, në themel, në kundërshtim me praktikat demokratike. Partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, ai bëri thirrje për protesta paqësore:
Dua të jem shumë i qartë me Zoti Basha, Zonja Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas, zyrtarit amerikan së shpejti, do të krijohet edhe Gjykata Kushtetuese, e cila prej më shumë se një viti është bllokuar.
Së shpejti, Presidenti Meta do të ketë shansin të zgjedhë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese nga një listë avokatësh të kualifikuar.