
“E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhër politik që e bllokon reformën në drejtësi. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni reformën. Ne nuk do të lejojmë të dështojë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e shqiptarëve vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.”
Kjo është deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu drejtuar të gjithë politikanëve, gjatë mbledhjes së Komisionit të posacëm për reformën në drejtësi.
Ambasadori Lu përmendi ndihmën dhënë Shqipërisë dhe Komisionit për reformën nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Komisioni i Venecias. Ai i kërkoi deputetëve arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për draftin e reformës dhe votimin në parlament deri në qershor të këtij viti.
“Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë. 91 për qind e shqiptarëve e mbështesin këtë reformë. Mendojeni pak, shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra, e megjithatë 91% bien dakord që vendi ka nevojë për këtë reformë”, deklaroi Zoti Lu.
Përpara mbledhjes së Komisionit të posacëm për reformën në drejtësi, ambasadori amerikan takoi kreun e Kuvendit Ilir Meta, ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PD-së Lulzim Basha.