
14 persona që kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar po testohen nëse janë prekur apo jo me koronavirus, nga Instituti i Shëndetit Publik.
Këtë lajm e dha ministrja e Shëndëtësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp.
Ajo tha se ministria do të informojë menjëherë qytetarët për rezultatet e testimeve.
Zonja Manastirliu i bëri thirrje qytetarëve që të besojnë tek personeli mjekësor që po përballet me koronavirusin:
“Personeli shëndetësor është i mirëtrajnuar sipas protokolleve të OBSH-së.
Duhet të kemi besim tek personeli ynë shëndëtësor. Nuk është hera e parë që ata përballen me sëmundje të tilla infektive.”
Ministrja i kujtoi dhe njëherë qytetarëve që nëse dyshojnë se kanë simptomat e koronavirusit, të telefojnë urgjencën në numrin 127.