15 të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme në 2 javët e fundit

Nga Exit News
15 të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme në 2 javët e fundit

Policia ka arrestuar 15 persona gjatë 2 javëve të fundit të akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili tha në një konferencë për media se 16 persona janë procedura penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Prej mesit të korrikut vendi është përfshirë nga zjarre të cilët kanë djegur qindra hektarë tokë duke sjellë dëme të mëdha mjedisore dhe materiale.

Deri tani një person ka humbur jetën nga flakët ndërsa në disa zona është dashur të evakuohen banorët nga rreziku se flakët mund të mbërrinin në banesat e tyre.

Më problematike kanë qenë vatrat e zjarreve në jug të vendit për shuarjen e të cilave u ndërhy me mjete të specializuara 10 ditë pasi kishin nisur flakët.

Sipas policisë në Vlorë janë arrestuar 7 persona dhe 1 është në kërkim, pasi kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, Gjorm, në Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë.

Në Himarë janë proceduar penalisht 2 shtetas, pasi kanë djegur sipërfaqe pyjesh në fshatin Pilur dhe në Fterr. Në Gjirokastër janë proceduar 5 persona për zjarrvënie

Në Fier janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë. Ndërsa në Korçë, Durrës dhe Elbasan janë arrestuar 2 persona, 3 janë proceduar penalisht dhe një është shpallur në kërkim.

Ditët e fundit situata e zjarreve është bërë kritike edhe në veri të vendit. Të hënën flakët rrezikuan disa fshatra në zonën e Kalimashit ndërkohë që vijon ende puna për shuarjen e tyre.

Në Kukës dhe në Lezhë janë arrestuar 2 persoan ndërsa në Mirditë janë proceduar 2 të tjerë.

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal. Sipas nenit Neni 206/a të këtij kodi kjo vepër penale dënohet deri në 20 vjet burg.

Deri më sot dënimet për zjarrëvënie të qëllimshme kanë qënë të pakonsiderueshme pavarësisht se arrestime për këtë vepër penale janë raportuar çdo vit nga policia.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>