Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) festoi dje 15 vjetorin e themelimit me një organizim në ish-Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Gjatë organizimit u shfaq një dokumentar që fliste për zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që fjalimin kryesor e mbajti Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Në fjalimin e saj Kryemadhi u përqendrua në këto pika:
- LSI-ja mban përgjegjësitë e veta në skenën politike, por misioni mbetet integrimi në BE përmes vendosjes në shina të së majtës, e cila është nën thundrat kriminale të Rilindjes.
- Rilindja nuk ka më asnjë pikë takimi me asnjë ideologji, e aq më pak me të majtën.
- Trëndafili i kuq i socialistëve është zëvendësuar me fiongon e zezë të korrupsionit të PPP-ve dhe degëzën e kanabisit si simbol i qeverisjes dhe krimit.
- Si opozitë kemi kundërshtuar çdo koncesion që rëndon mbi qytetarët.
- Nuk jemi në parlament sepse sistemi kriminal dhe oligarkik i Edi Ramës nuk mundëson debat vlerash siç ndodh në çdo vend demokratik.
- Nuk pranojmë të jemi fasadë e një qeverisje ku mbizotërojnë lidhjet me krimin.
- Kemi protestuar për t’i bindur shqiptarët se çdo formë proteste është mënyrë për t’i hequr një gur themelit mafioz të qeverisë Rama.
- Bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit ka rritur përgjegjësinë e opozitës që të gjejë mekanizmat më të mirë për të përfaqësuar qytetarët.
- Qytetarët dhe anëtarët e LSI të mos blejnë në qendrat tregtare të oligarkëve, por në dyqanet e lagjeve dhe komshinjve të juaj. Qytetarët dhe anëtarët e LSI të mos përdorin taksitë e korporatave të lidhura me pushtetin, por taksitë e atyre që punojnë me sakrificë për familjet e tyre.
LSI u formua më 6 shtator 2004. Një pjesë e themeluesve të saj ishin ish-anëtarë të Partisë Socialiste. Mes tyre Ilir Meta, sot President i Shqipërisë.