Tahiri përgënjeshtëron Ramën – Pikat kryesore të intervistës

Tahiri përgënjeshtëron Ramën – Pikat kryesore të intervistës

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Sokol Balla, në emisionin Top Story.

Biseda u përqëndrua tek raporti i Guardia di Finanza-s italiane për kultivimin e kanabisit në vend, bërë publik pak ditë më parë.

Deklaratat kryesore të ministrit Tahiri ishin:

Për kultivimin e kanabisit:

  • Shqipëria para 2013 ka patur një problem të madh [me kultivimin e kanabisit] të cilin nuk e ka adresuar. Pas 2013 ka një problem, ndonëse më të vogël që po e adreson me të gjitha kapacitetet tona.
  • Nuk është shtuar kultivimi i kanabisit nga viti në viti, tani është shtuar kapaciteti ynë për ta identifikuar dhe luftuar.
  • Është mbjellë kanabis, jo vetëm në Lazarat, por në të gjithë Shqipërinë. Ne sot po e përballim dhe këtë po e bëjmë me dije tek shqiptarët, nuk po e fshehim.
  • Problemi ka qenë aty. Ne sot nuk jemi përballë shtimit të fenomenit, shtimit të hapësirës së kultivuar. Ne sot po evidentojmë më shumë.
  • Po flasim për një fenomen që është produkt i disa problemeve të tjera që ne kemi trashëguar për më shumë se dy dekada. Problemi real është varfëria, papunësia, padrejtësia dhe pabarazia. Këto janë problemet në themel që ne duhet të adresojmë dhe pastaj paralelisht edhe kanabisin.
  • Unë nuk e quaj dot qytetarin e varfër të zonave më të thella të Shqipërisë as trafikant, as kolumbian siç bën opozita, pasi për shkak të varfërisë ai shkon në ngasje për të mbjellë kanabis. Për mua janë qytetarë shqiptarë me 1001 halle mbi supe, që 20 vjet nuk ja ka zgjidhur as politika dhe as pushteti.
  • Më përmende avionët që i thyhet rrota. Nuk dua të jem cinik, por nuk e kuptoj këtë mediokritet kolektiv lidhur me këto fenomene. Nga Italia vijnë avionët, ca do të thotë kjo që Italia ka dështuar në bërjen e shtetit?!
  • Absolutisht që ka [punonjës policie të përfshirë në trafikun e drogës]. Kjo është policia që kemi trashëguar e që duhet ta pastrojmë.

Për opozitën:

  • Unë besoj që fronti i së keqes është fiks ai që deri më dje e ka sjellë Shqipërinë deri këtu.
  • Akuzat e pabaza, shpifjet dhe llumi kundër policisë ka qenë maksimal. Ajo që unë kam quajtur front i së keqes sot sulmon dhe hedh baltë mbi të gjithë ata që nuk ka nën kontroll.
  • Gjithçka është zhurmë. Po tregoj një rast, që policia shqiptare ishte pjesë e një aksioni me policinë italiane dhe operacioni ishte lejimi i avionit të mbushej në Shqipëri dhe të kapej në Itali nga italianët pasi të ishte konsumuar vepra, por kjo quhet për opozitën një motiv për të na sulmuar.
  • Opozita nuk ka synuar një debat të shëndoshë për këtë çështje, por është e ftuar që të bëhet pjesë e zgjidhjes, që nuk bëhet duke drejtuar gishtin tek unë apo kryeministri.

Për kërcënimin ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Llalla:

  • Nëse [Prokurori Llalla] do të ishte kërcënuar, nuk do të më dukej normale të mos e dija zyrtarisht. Unë nuk kam informacion për këtë. E kam marrë vesh nga media.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>