Nuk i marr dorën njeriu kur flas për Kosovën — Pikat kryesore të bisedës së Kryeministrit në Studio e Hapur

Nuk i marr dorën njeriu kur flas për Kosovën — Pikat kryesore të bisedës së Kryeministrit në Studio e Hapur

Kryeministri Rama ka biseduar dje në mbrëmje me gazetaren Eni Vasili në Studio e Hapur të News 24. Më poshtë janë disa nga pohimet kryesore të bëra nga Kryeministri.

Për marrëdhëniet me Serbinë dhe Kosovën:

Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë përpara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës.

Unë nuk flas në emër të Kosovës, por për Kosovën dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën.

Unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar.

Ka një deklaratë zyrtare që i kërkon Serbisë që të zgjidhë problemin deri në 31 dhjetor. Pra, ne i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.

[Për kritikat për citimin e Ivo Andric] Por kjo lloj kapje pas hijeve të së shkuarës për të nxjerrë përfitime sot është një profesion në Shqipëri dhe Kosovë.

Për koalicionin qeverisës dhe Ilir Metën:

[L]uftë midis meje dhe Ilir Metës nuk ka. Ne jemi në një koalicion, jo në një parti.

Mbasi të zgjidhet kryetari i LSI ne do ulemi dhe do diskutojmë. Ndërkohë që unë, duke besuar që nuk do kemi surpriza në ato zgjedhje, mendoj që kjo do të jetë një formalitet pasi në diskutimet tona me kryetarin aktual të LSI-së, herët e fundit jo vetëm që nuk është vënë në pikëpyetje koalicioni në 2017-ën, por është folur për domosdoshmërinë e një funksionimi edhe më të mirë të tij.

[Nëse Ilir Meta mund të jetë Kryeministër]. Kjo është një temë për të cilën ne do diskutojmë brenda koalicionit dhe kur të diskutojmë brenda koalicionit të jeni e sigurt që News24 do ta ketë lajmin më shpejt se të tjerët.

LSI-ja është në vendin e vet dhe PDIU-ja është në vendin e vet. Ne sigurisht jemi në vendin tonë. Nuk e kuptoj pse ta zëvendësojmë.

Pati një angazhim atje [në Dibër] më të madh për shkak dhe të një strukture shumë vibrante që ka PDIU-ja në atë zonë.

Për Ben Blushin dhe Mimoza Hafizin:

Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti, Fatos Nanon dhe mua. Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri nja tre libra, romane.

Unë mendoj që në këtë fazë mllefi atomik me PS-në, Blushi është mirë të bëjë një roman tjetër se sa për partinë e Blushit s’do ketë as punë, as roman, këtë di unë.

Por Mimozën le ta lëmë të hajë përsheshin në partinë e Blushit dhe të mos merremi me këtë temë, ju lutem.

Për kultivimin e kanabisit:

[Ë]shtë 17 për qind e territorit, ku mund të kultivohet kanabisi, sepse ata nuk mund të marrin Bllokun, as nuk marrin qytetet, as nuk marrin plazhet dhe as nuk marrin tokat bujqësore.

Guardia di Financa ka shprehur konsideratat më të shkëlqyera për bashkëpunimin me policinë shqiptare dhe më vjen shumë keq që mediat e kazanit dhe të tjera kanë marrë një deklaratë të një prokurori, i cili ka folur në një emision në RAI dhe që ka konfirmuar për ne dhe nuk e ka patur fjalën për policinë e shtetit, por për gjyqësorin, sepse ai s’ka lidhje fare në punë me policinë e shtetit dhe po të them edhe një herë tjetër që nëse këtu ka një përpjekje të dëshpëruar për të krijuar mitin e Kolumbisë që është një turp dhe faqja e zezë për ata që e nxjerrin nga goja dhe që mundohen t’ia bëjnë Shqipërisë këtë peshqesh.

Prokurori italian merreni dhe thuaji, e keni patur fjalën për policinë e shtetit apo autoritetet gjyqësore. Autoritetet shqiptare nuk konsiderohet policia. Edhe në gjuhën e tyre i thonë policia.

Dhe siç thotë edhe Guardia di Financa, e cila ka hyrë në operacion në vitin 2012, sasia e mbjellë këtë vit është shumë më e vogël se sa sasia e mbjellë në vitin 2013. Por në atë kohë policia i mbante sekret, mediat nuk e kishin këtë akses, nuk ishte koha që kap telefonin, bëj një video dhe çoje nëpër Facebook.

Ka patur një taktikë nga kultivuesit që zhvillohet shumë më shpejt për t’ju shmangur goditjes nga policia që nuk diskutohej që do vinte. Dhe kjo farë sipas Guardia di Financës prodhon 6 herë më pak si sasi.

Unë nuk them nuk ka. Unë them që që nga viti 2013  këtij fenomeni i është shpallur një luftë frontale, e vendosur kudo. Lufta e policisë së shtetit, matet me sa ke shkatërruar, nuk matet me sa janë mbjellë. Nëse doni të flasim për mbjelljen kjo është temë tjetër.

Ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë shprehen me superlative për punën e policisë së shtetit, shprehen me superlative për luftën frontale, sepse edhe në Amerikë, kokaina aty ishte gjithë kohës. Ishte Ronald Regan që e ktheu në një çështje publike, sepse e shpalli luftën hapur, ndërkohë që ajo luftë zhvillohej siç bëhej këtu përpara.

Për 99,8 për qind, nuk jap unë shifra, ajo është shifra e Guardia Di Finanza. Nuk shoh asnjë arsye të dyshoj tek Guardia Di Finanza duke dëgjuar Flamur Nokën.

Për ligjin e mbetjeve:

Kam qenë dhe do jem kundër atij ligji që ishte. Është ligj tjetër. Do bëjmë referendum edhe për të hyrë në BE.

Ligji është tjetër. Nuk bëhet fjalë për import plehrash. Ndalon djegien apo varrosjen e plehrave nga jashtë. Bëhet fjalë për të drejtën e fabrikave të riciklimit.

Referendumin e kemi kërkuar për një ligj që do të sillte plehra dhe do t’i digjte dhe do t’i groposte në Shqipëri, jo për një direktivë të BE-së. Ricikluesi merr karton e riciklon e kthen në ambalazh për fruta-perime.

Doganat tona e kanë plotësisht të mundur që të monitorojnë këtë proces. [N]ëse flasim për import plehrash. Importi bëhet me trajlera, nuk bëhet fshehtas.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>