Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman, në një intervistë për Mapo.al, shprehu sot shqetësimin për disa nga problemet kryesore në Shqipëri.
Zoti Duncan foli për rritjen e kultivimit të kanabisit, korrupsionin, institucionet e dobëta dhe rëndësinë që Shqipëria duhet t’i japë luftës ndaj krimit për të përmirësuar imazhin.
Më poshtë janë disa nga deklaratat kryesore të ambasadorit Norman:
Për luftën ndaj krimit:
- Ajo që po vëmë re së fundmi me kultivimin e kanabisit në Shqipëri është diçka që na shqetëson.
- Duke vazhduar vendosjen e lidhjeve midis agjencive ligjzbatuese ne mund të vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë në lidhje me një problem serioz si ky.
- Aktualisht janë rreth 400-500 shqiptarë që vuajnë dënimet e tyre në burgjet angleze. Është një numër shumë i madh, i mjaftueshëm për të ngritur një burg më vete.
- Ne e dimë se fatkeqësisht qytetarë shqiptarë janë përfshirë në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe. Kjo përfshin edhe trafikimin e drogave serioze si kokaina apo heroina.
- Çështjet e shqiptarëve të lidhur me krimin e organizuar janë shumë të njohura në Britaninë e Madhe.
- Kjo është diçka që nevojitet të zgjidhet. Nëse e zgjidhim, do të ishte një hap i madh drejt përmirësimit të imazhit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe.
Për korrupsionin dhe institucionet:
- Mendoj se korrupsioni është një problem i madh në Shqipëri, ndikon në të gjitha pjesët e shoqërisë.
- Ky është një problem gjithëpërfshirës dhe mënyra e vetme për t’u marrë me të është të bësh gjëra si Reforma në Drejtësi. Kjo e fundit është një hap i rëndësishëm për ta luftuar korrupsionin.
- Institucionet janë shumë të reja, të dala nga një demokraci 25-vjeçare. Ne e dimë që sistemi i drejtësisë është shumë i dobët. E njëjta gjë me Parlamentin, është i ri. Prandaj ka shumë për të mësuar këtu se si funksionon demokracia.
- Media në Shqipëri është një nga institucionet që është relativisht e re dhe ne duam të mbështesim median e lirë. Në çdo demokraci, media luan një rol kyç.
- Ne e kuptojmë përse Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Por pika reale dhe më e rëndësishme e këtyre reformave është se çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, çfarë po bën Shqipëria në këtë drejtim …për tu bërë një shoqëri më e mirë. Kjo duhet të jetë forca shtytëse dhe jo thjesht anëtarësimi në BE si një qëllim në vetvete.