2018, monizmi nuk luftohet me superheronj

Nga Carloalberto Rossi
2018, monizmi nuk luftohet me superheronj

Pas shkeljes kushtetuese për të zgjedhur një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme—shkelje “e garantuar” në mënyrë të vullnetshme nga dy ambasadorë të huaj që duhet të përfaqësonin të tjera vlera demokratike dhe e toleruar në mënyrë të heshtur nga të tjerë ambasadorë që duket se nuk kanë asnjë lloj “mendimi vetjak” dhe e legjitimuar nga memecëria e turpshme e shumë njerëzve që tashmë duhet t’i kishin kuptuar konceptet e demokracisë—shqiptarët e thjeshtë presin të kuptojnë se çfarë do të ndodhë më tej.

Çështja nuk është aspak e lehtë.

Nga njëra anë, është tashmë e qartë për të gjithë se Edi Rama ka vendosur të luajë lojën e pushtetit absolut personal me çdo lloj mjeti. Pasi ka paralizuar emërimet në KLP e KLGJ dhe ka vendosur Prokuroren e tij të Përgjithshme (dhe pasi kjo e fundit ka vendosur njerëzit e saj në çdo zyrë të prokurorisë), Edi Rama do të përpiqet, tani, të shtiret se ka filluar zbatimin e reformës, e cila në realitet po rezulton shumë e ngatërruar, për shkak të ndërlikimeve në ndërtimin e saj dhe të kundërshtimit të saj nga e gjithë trupa politike dhe administrative shqiptare.

Njëkohësisht, Rama ka filluar ndërtimin e një narrative të re, e cila ja vesh opozitës çdo përgjegjësi për mos hapjen e negociatave me BE-në. Me gjasa ai do arrijë t’i bindë njerëzit për këtë “faj” të opozitës, falë përqendrimit të jashtëzakonshëm të pushtetit në duart e tij dhe të “cunamit” të servilizmit ndaj pushtetit të të gjitha institucioneve ndërmjetësuese të vendit, veçanërisht medias.

Por një “sukses” i tillë nuk do ta zgjidhë problemin, sepse edhe pas gjetjes së fajtorit, përsëri do të mungojë zgjidhja. Manipulimet me propagandë mund të zgjidhin vetëm problemin e brendshëm, i cili sidoqoftë është bërë tërësisht i parëndësishëm duke qenë se tashmë jemi në një kontekst haptazi monist.

Ndonjë luftë e vogël mes oligarkësh është thjesht tregues i ripozicionimeve brenda oborrit kryeministror, por askush nuk është në gjendje të ndërhyjë për të luftuar shkaqet e një ekonomie gjithnjë e më të paralizuar, dhe pritja për investime të huaja do të bëhet edhe më e gjatë se pritja e datës për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Plani “Një Miliardë” do të vazhdojë të mbushë faqet e gazetave dhe deklaratat plot fantazi të Ministrit të Financave, por ato pak propozime, nëse do ketë realisht të tilla, do të enden më kot nëpër banka në kërkim të asaj çfarë u mungon të gjithëve, përfshi edhe oligarkëve, parasë.

Largimi masiv i popullsisë do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm, sidomos mes shtresës së mesme, e cila ka aspirata dhe aftësi intelektuale për tu integruar kudo, dhe në një vend me valixhe në dorë do të jetë gjithmonë e më e vështirë të rritet konsumi e, aq më pak, të ardhurat.

Dhe kështu vimë tek opozita. Si fillim duhet ta dallojmë në mënyrë objektive: kush mund të përcaktohet si opozitar, në një sistem monist?

Nëse e përdorim termin në kuptim normal parësor perëndimor, opozita është bashkësia e partive parlamentare dhe e lëvizjeve politike jashtë parlamentit, të cilat haptazi nuk bien dakord me veprimet politike dhe administrative të qeverisë. Pra, opozita do të ishte PD, LSI dhe një grusht partish (thuajse) familjare të cilat i kanë mbijetuar ndryshimeve, mutacioneve, kongreseve dhe ndonjë mandati parlamentar apo qeveritar.

Secili prej drejtuesve të tyre duhet të interpretojë rolin e udhëheqësit të pakorruptueshëm që propozon receta shpëtimtare për Shqipërinë, për ta shkëputur vendin nga korrupsioni, nga abuzimi me pushtetin, nga oligarkia monopoliste, nga depërtimi i krimit të organizuar në ekonomi dhe në shoqëri, duke propozuar reforma ligjore, zgjedhore, kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore për tu dhënë qytetarëve shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por e vërteta është se besueshmëria e tyre është konsumuar pashmangshmërisht nga ndodhitë e djeshme dhe të sotme politike dhe prova përfundimtare e kësaj gjëje është pikërisht fakti se asnjë prej tyre nuk arrin të ngrejë dot popullin në sheshe.

Perspektiva e opozitarizmit parlamentar, me projekt-ligje dhe diskutime, duket e kotë për shkak të numrave të Partisë Socialiste në Kuvend dhe vullnetit të saj të qartë për të mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit. Sherret e fundit parlamentare kanë treguar pamundësinë e ushtrimit të rrugës së parlamentarizmit, e cila do të çonte vetëm në ndonjë potere, shumë përjashtime dhe shumë vota të humbura në elektorat. Për më tepër, si mund të flitet për rregulla të jetës së përbashkët, nëse vetë rregulli bazë, ai që përcakton rregullat e lojës politike, Kushtetuta, është shkelur hapur dhe në mënyrë të përsëritur, me bekimin e përfaqësuesve të huaj!

Kështu, pra, pa sheshe, pa parlament, dhe pa ambasada të huaja. Çdo gjë duket e kotë, e pabesueshme, jo funksionale. Ndaj të gjithë këta drejtues të sotëm opozitarë—parardhësit e të cilëve konsideroheshin superheronj, ndonëse i sollën dëme të mëdha shoqërisë—do të presin, duke u ankuar dhe duke bërë viktimën, një fitore të pamundur elektorale, që duhet të arrihet me rregulla dhe norma të përcaktuara nga pushteti absolut, të cilat e bëjnë që tani të parashikueshëm rezultatin e tyre qesharak.

Një tunel pa fund për trashëgimtarët e superheronjve që nuk kanë fuqitë e paraardhësve—për udhëheqës që nuk kanë aftësi për të udhëhequr.

Por opozita në Shqipëri nuk mund të kufizohet vetëm tek një grusht udhëheqësish të vetëshpallur të tillë, profesionistë të pavdekshëm të politikës—kushdo që di të dëgjojë e kupton se pakënaqësia popullore ndaj klasës drejtuese të vendit po arrin nivele alarmante, që i dëshmojnë përpjekjet e shumta për të emigruar.

Arroganca idiote e administratës shtetërore, abuzimet dhe zhvatjet e saj të përditshme në kurriz të qytetarëte të thjeshtë dhe të pambrojtur politikisht, në kontrast të dukshëm me nderimin dhe favoret që u rezervohen hajdutëve të mëdhenj që kanë statusin e miqve të pushtetit, shpejt do të krijojnë një lloj tjetër opozite—një opozitë tipike për diktaturat, të njohur mirë në Shqipëri: rezistencën pasive, ankesat nën zë dhe mospjesëmarrjen në asgjë, e cila do të çojë në paralizën e ngadaltë të të gjithë shoqërisë.

Ky është në fakt realiteti i tanishëm: opozita institucionale politike nuk funksionon, për të mos thënë nuk ekziston, por ekziston një pakënaqësi e përhapur dhe me bazë të gjerë popullore, e cila shtohet çdo ditë që mbijeton kjo qeveri, e legjitimuar me vota shumë të diskutueshme, e cila ka përqafuar pa kthim një strategji sundimi.

Vetëm të kuptuarit e thellë të situatës shoqërore dhe një qasje e sinqertë ndaj problemeve të njerëzve dhe të vendit, duke dhënë prova përunjësie, të vazhdueshme dhe të shpjeguara, mund të krijojnë kushtet që masa e të pakënaqurve të kthehet në një masë politike, dhe që një personazh normal të bëhet mjaftueshëm karizmatik (ose të paktën i besueshëm) për tu identifikuar nga populli si një udhëheqës i mundshëm i opozitës: vetëm atëherë epoka e superheronjve do të mbarojë përgjithmonë, për të filluar ajo e konkurencës demokratike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>