Ja si ndodhi Dhjetori 1990…

Nga Blendi Fevziu
Ja si ndodhi Dhjetori 1990…

Mbrëmjen e datës 8 dhjetor 1990, Qyteti Studenti, siç ndodhte rëndom ato ditë, u pllakos nga errësira. Ikja e energjisë elektrike u shoqërua me thirrje të forta kundër regjimit. Në errësirën e provokuar nga mungesa e dritave, në ora 21.30, më shumë se 100 studentë kishin dalë tashmë në sheshin qendror. Turma lëvizi drejt godinës 15. Aty ku prisnin disa nga drejtuesit e lartë të kohës.

Ishte momenti kur grupi i ende vogël gjeti liderin e tij. Një student 28 vjeçar i drejtësisë, tropojan me origjinë, i quajtur Azem Hajdari.
“Mbrëmjen e 8 dhjetorit isha në dhomën numër 109, godina 14. Po lexoja tekstin e pedagogjisë. Kur filluan thirrjet nxora jashtë një shokun tim, Bashkim Dedej, dhe i thashë të më lajmëronte nëse ishin më shumë se 20 veta. Ai u kthye dhe më tha se qenë mbi 30. Dola. Ishin përpara godinës. Hipa mbi stolin që është përpara saj dhe ju thashë: “Po qe se keni kërkesa politike jam me ju. Ju vë në hipotekë dy fëmijët e mi”.

Grupi tashmë prej afro 2000 studentësh eci në anë të Qytetit Studenti, nëpër një rrugë të ngushtë që të çonte tek Ambasada Italiane, në rrugën e Elbasanit dhe prej aty në dy drejtime, në bulevardin qendror të Tiranës ose në sheshin Skënderbej. Studentët kishin vetëm një kusht, takimin me Ramiz Alinë!
Ramiz Alia, njeriu numër një i regjimit kish rënë të flinte, kur oficeri roje, e zgjoi duke i thënë se kishte një komunikim urgjent:
“Më lajmëruan nga ana e Ministrisë së Brendshme. Më thanë që në Qytetin Studenti, studentët kanë filluar të bëjnë një manifestim dhe janë në një lloj greve”.

Ai kërkoi menjëherë të dinte atë që po ndodhte.
“Më thanë vetëm, që një grup studentësh kërkonin të takoheshin me mua. Dhe unë menjëherë njoftova se jam dakord plotësisht që të takohem me ta. Kjo ka qenë, rreth orës 1 pas mesnate.”
Ramiz Alia nuk e tregoi kurrë faktin që 25 ditë më parë, shërbimi i kundërzbulimit shqiptar, i kish përcjellë atij një letër tepër sekret, me këtë përmbajtje:

“Tiranë 13.11.1990
Nga nje burimi yne informohemi se :
Sipas një kuadri te CIA-s, pritet që në prag ose pas festa-ve të Nëntorit, studentët shqiptare të organizojnë një demonstratë për shkak të kushteve të vështira të studimit, fjetjes, ushqimit. Ata mund të dalin edhe me kërkesa për ndryshimin e programeve mësimore dhe me ta mund të bashkohen edhe të rinj të tjerë. Burimi sugjeron që gjatë ditëve të festave të evitohen ceremonitë e zakonshme pasi ato mund shfrytëzohen për t’i kthyer në veprimtari armiqësore.”

Mbi fletë gjenden disa firma eprorësh dhe një shënim me dorë:
“U klasifikua dhe u dërgua si informacion për udhëheqësit datë 15 nëntor 1990”

Lajmi për takimin me Ramiz Alinë mbërriti në grupin e protestuesve pak pas mesnatës midis 8 dhe 9 Dhjetorit. Azem Hajdari e kujton kështu këtë moment në një intervistë të 8 viteve më pas:
“Kur u nisem, i thashë: Po nuk u kthyem për 45 minuta vazhdoni protestën, ne nuk kthehemi më.”

Shpëtim Shkurti, student i inxhinierisë i vitit të parë, u gjend në grupin e atyre që u nisën të takojnë Alinë. Në një intervistë të 20 viteve më pas, ai e kujtonte kështu atë moment:
“Për tek Universiteti shkuam me vrap, për të mos shpenzuar shumë kohë nga 45-minutëshi. Rrugët e Tiranës ishin të shkreta. Çdo 200-300 metra kishte gardhe gardistësh, të armatosur me “Kallashnikovë”. Kur mbërritëm tek Universiteti, pamë që ai ishte rrethuar me civilë, të armatosur me automatikë të vegjël të tipit “Tompson”. Na drejtuan në katin e dytë, në një klasë që ndodhej nga krahu lindor i Universitetit. Pa e kuptuar, ishim ulur ngjitur me njëri-tjetrin në tre rreshtat e parë dhe në mes të rreshtit të parë kishim vënë Azemin.”

As Ramiz Alia nuk pati kohë për formalitete. Edhe ai u nis në këmbë, drejt korpusit qëndror të Universitetit. Biseda nuk qe e gjatë dhe mbi të gjitha jo aq e tensionuar. Ramiz Alia kujton:
“Studentët ishin të ndërgjegjshëm me atë se çfarë kërkonin. Sipas tyre, ata kërkonin ndryshimin në sistem, ndryshime politike. Pra, që në atë moment, unë për vete, personalisht, kuptova që po vjen thirrja për pluralizmin politik”.

Ramiz Alia ju kërkoi studentëve që të zgjidhnin një përfaqësi që do të takohej me të ditën e hënë pasdite, por deri atëherë ata duhej të shkonin në shkollë.
Rreth orës 1:30 pas mesnate përfaqësia e studentëve kish mbërritur tek protestuesit. Azem Hajdari mori megafonin të rrëfente atë që kish ndodhur. Por ai nuk arriti dot t’i sqaronte. Në atë moment Ministri i Brendshëm kishte dhënë urdhër për shpërndarjen me dhunë të protestës. Sipas tij, studentët i kishin vjedhur pistoletën një oficeri.

Grupet e sambistëve të 326 nisën të sulmonin me shkopinj gome studentët. Sambistët dhe policia nuk arritën dot deri në Qytetin Studenti. Të mbledhur në qytetin e tyre pas dhunës, studentët kërkuan të hartohen kërkesat dhe për herë të parë, sipas dëshmitarëve thirrja “pluralizëm” doli në skenë.

Më 9 dhjetor 1990 ata vendosën të vijojnë dhe rreth orës 8 grupi i parë prej afro 1 000 vetësh nisi të zbresë poshtë nëpër rrugën e Elbasanit. Në afërsi të Liceut ata u bllokuan nga forcat e policisë.
Sali Berisha, një mjek kardiolog, ishte duke pirë kafe kur mori lajmin për atë që po ndodhte në zemër të Tiranës. Ai u ngrit të nisej për atje. Pa e ditur se ajo ditë, do të ndryshonte edhe krejt karrierën e jetën e tij. Berisha kujton:
“Aty kam parë për herë të parë Azem Hajdarin që ngrihej mbi supet e tyre”

Kardiologu Sali Berisha, shkrimtari Besnik Mustafaj dhe regjisori Kujtim Çashku qenë aty kur dhuna filloi. Studentët u shpërndanë forcërisht. Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj u nisën në drejtim të Qytetit Studenti, me bindjen se mes tyre kishte të lënduar që kishin nevojë për mjek.

Besnik Mustafaj, rrëfen se aty ka prezantuar për herë të parë Sali Berishën me Azem Hajdarin.

Në mbrëmje, në Komitetin e Partisë së Tiranës, mori rrugë një ndër historitë më interesante të dhjetorit të vitit 1990, takimi i Sekretarit të Parë të KQ të PPSH –së, Ramiz Alia, njeriu më i fuqishëm i regjimit, me kardiologun Sali Berisha, njeriu, që 48 orë më pas do të bëhej një ndër personazhet më të rëndësishëm të opozitës së re dhe do të dominonte për thuajse 20 vjet politikën post komuniste.

Po si ndodhi ky takim? Sa e rastësishme ishte përballja e dy njerëzve që befas po ndërroheshin në korridorin e historisë, njëri po dilte dhe tjetri po hynte? Ç’u bisedua në dy takimet që ata patën mbrëmjen e 9 dhjetorit dhe mëngjesin e datës 10? Përse Alia kërkoi të takonte Berishën dhe a pati një marrëveshje mes tyre.

Kjo hamendje ka mbajtur pezull për shumë kohë historinë e atyre ditëve dhe me sa duket do të mbajë edhe historinë e Shqipërisë që lidhet me këtë kapitull. Sepse një vit më pas, Presidenti Ramiz Alia, do t’i linte vendin Presidentit Sali Berisha, që do të bëhej lideri i parë post komunist i Shqipërisë pas një historie 48 vjeçare të dominimit të tyre.

Alia gjithnjë ka deklaruar se takimi i tij me Berishën ka qenë i rastësishëm. Siç deklaron edhe Besnik Mustafaj që ka qenë aty dëshmitar. Berisha dhe Alia u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, në Bllokun e udhëheqësve, në një takim që sipas tyre duhet të ketë zgjatur thuajse 20 minuta.

Besnik Mustafaj kujton:
“Unë nuk shkova tek shtëpia e Ramizit, por shoqërova Saliun që e prita jashtë për rreth një çerek ore”.
Biseda e tyre ka mbetur thuajse e panjohur. Në një intervistë të vitit 2006, Ramiz Alia sqaron:
“Një nga këta profesorë që çova tek studentët ishte Berisha, të cilit unë i kërkova që të shkonte të transmetonte nga ana ime fjalën se – unë nuk shkova në orën 5 mbasdite tek studentët, sepse ata s’mbajtën fjalën në mengjes, s’vajtën në shkollë. I thashe se të nesërmen unë jam gati të vetë prapë tek ta, që nuk heq dorë nga takimi dhe biseda me ta. Këto janë fjalët e vetme që i kam thënë Sali Berishës”.

Sali Berisha ka edhe ai versionin e tij. Në një intervistë të vitit 2004 kujton:
“I thashë Alisë se studentet i kishin rrahur pasi ishin takuar me të. I thashë: “ Nuk e rreh kush dërgatën në botë as në kanun, as në ligj, asnjëherë…Ai më tha: “ Unë jam dakord të takohem me ta, por ata kanë kërkesa të cilat janë jo thjeshtë ekonomike”. Unë ju përgjigja: “Unë përfaqësoj veten time, une atyre do u them, ato që u thashë edhe në mbledhjen nga e cila po vij, do t’u këshilloj të vendosin dialogun, ta zgjidhin me dialog, por është e rëndësishme që kërkesat e tyre të merren seriozisht.”

Ramiz Alia ka dëshmuar gjithnjë se shkaku që thirri Berishën ishte se drejtuesit e protestës qenë nga Tropoja dhe ai kërkoi një njeri influent që të fliste me ta. Në fakt, Berisha nuk u kthye atë natë tek Alia, nuk i dha atij asnjë përgjigje. Kjo ndodhi të nesërmen në mëngjes, kur regjistrohet edhe takimi i dytë mes tyre, sipas regjistrit hyrës të KQ, rreth orës 11.00. Atë moment, Berisha kish kuptuar me sa duket se loja, ishte shumë më e thellë dhe se nga pluralizmi i ndante vetëm një hap. Personi i vetëm që e ka shoqëruar Berishën atë natë, Besnik Mustafaj dëshmon:
“Në këtë moment mendova se detyra jone përfundoi këtu. Isha pa drekë, pa cigare edhe i thashë Berishës të ikim. Aty ai më tha, jo se tani filloi.”

Mëngjesin e 10 dhjetorit, gjithë shkollat e Larta të Tiranës qenë në protestë. Në godinën e Kinoteatrit qenë vendosur kërkesat e studentëve që përmblidheshin në këto pika:
– Kërkojmë fajtorët të cilët dhanë urdhër të përdoret dhuna mbi studentët.
– Kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më e lartë e e demokracisë së sotme. Si pasojë :
Të lejohet krijimi i Organizatës së Pavarur demokratike të Studentëve dhe intelektualëve të Rinj. Statusi i së cilës do të paraqitet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë.
Duam që ajo organizatë të ketë deputetët e vet në Kuvendin Popullor.
-Të botohen kartat e OKB-së, Karta e Helsinkit 1 dhe 2, si dhe Karta e Parisit.
-Kërkojmë liri të shtypit dhe të fjalës, pa çensurë.
-Kërkojmë takim me Presidentin Alia

Kërkesat mbylleshin me një thirrje patetike:
“U bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve, personaliteteve, të gjithë atyre që e duan SHQIPËRINË, të mbështesin kërkesat tona dhe të bashkohen me ne.”

Në orën 11 të datës 10 dhjetor 1990, sekretari i vuri mbi tryezë Ramiz Alisë lajmin se “Shtypshkronja e re” kish vendosur të mos shtypte gazetat e nesërme. Alia e dinte se kërkesat tashmë ishin politike. Ai i kish deklaruar në një mbledhje të rezervuar:
“Motivi themelor është pa dyshim politik”.

Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste i duhej të merrte një prej vendimeve më të rëndësishme që partia e tij kish marrë ndonjëherë. Studentët kërkonin takim. Në mungesë të tij ata kërcënonin me grevë, por edhe protesta. Alia dukej ende i bindur se mund të gjente një zgjidhje që mos ta prekte pluralizmin. Në një intervistë të 16 viteve më vonë, ai ka dëshmuar se deri mëngjesin e 10 dhjetorit:
“Jo, në atë kohë nuk e mendonim pluralizmin, nuk e mendonim fare”.
Po cili qe shkaku që e bëri Alinë të ndërrojë mendim?! Ai sqaron se kish menduar për këtë gjë vetëm pas solidarizimeve që po vinin në Qytetin Studenti.

“Ky moment ka qenë pikërisht në mbrëmjen e 10 dhjetorit, kur vazhdoi protesta e studentëve. Kur nga Tirana filluan të shkojnë edhe punëtorë të disa qendrave, kur lëvizja e studentëve mori proporcione më të mëdha. Pra u duk që këtu nuk është më çështja e një grupi studentësh, por është një problem më i madh. Dhe në datën 11 në mëngjes për mua u bë e qartë që duhet të shpallnim pluralizmin politik”.
Mëngjesin e 11 dhjetorit, Qyteti Studenti e kish fituar betejën. Ramiz Alia do të takohej me një përfaqësi shtudentësh në orën 18.00 të po asaj mbrëmje në Pallatin e Brigadave. Fakultetet kishin marrë porosi nga organizatorët të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre.

Ato momente Ramiz Alia, po diskutonte sërish rrugët e zgjidhjes në Pleniumin e 13 që kish nisur atë mëngjes:
“Mendoj se duhet ta mbajmë lidhjen dhe dialogun me studentët. Sepse rruga tjetër do të ishte ajo e ndeshjes. Natyrisht dhe kjo bëhet, por aksioni do të sjellë reaksionin. Ne do ti shpërndajmë me forcë sot, nesër do dalë dyfishi,punëtorët e fëmijët. .
“Shtrohet çështja çfarë duhet bërë, të përdoren armët ? Edhe ky propabilitet ekziston, që të trembësh njerëzit.Mundet ta bësh, nuk është e pamundur dhe kjo.”

Sipas procesverbaleve të gjetura vetëm 20 vjet më pas rreth orës 13.50, KQ I PPSH – së mori vendimin më të rëndësishëm të historisë së saj në më pak se 30 sekonda:
“Ramiz Alia: Nese ne do ta pranojme këtë tezë, pluralizmin, pra, ose do ta pranojmë siç është, e pranojmë të plotë dhe e mbyllim këtë muhabet. Duke e pranuar të plotë e dimë që pranojmë një gjë shumë të rëndë… Tashti ca njerëz do na dalin kundra, ca….këtu do të matet vlera e punës tone. E hedhim në votim. Kush është pro? Të gjithë? Ata që jane kundër? Vetëm dy, Spiro Koleka, Rita Marko. U bë!”

Duke dalë nga pleniumi, shumica e anëtarëve të tij, kishin dalë njëkohësisht nga skena politike shqiptare.
Po ato momente në Qytetin Studenti, fakultetet kishin zgjedhur një përfaqësi me votim të hapur. Midis tyre qenë 2 Kryeministra dhe një dyzinë ministrash të ardhshëm të Shqipërisë. Përfaqësia u nis mbasdite vonë, 15 minuta pa shkuar ora 18.00.

Takimi zgjati më shumë se 3 orë. Në ora 21.15 Arben Imami, pedagog i regjisurës dhe një lloj lideri i dërgatës studentore, njoftoi studentët se atë natë do të krijohej një parti e re demokratike. Sali Berisha që e mori fjalën menjëherë pas Imamit në një intervistë të 20 viteve më pas kujton:
“Jemi futur në katin e dytë të një godine të qytetit Studenti dhe kemi vendosur të krijojmë partinë. E kemi quajtur Partia Demokratike.”

Edhe Gramoz Pashko, jep pak a shumë po këtë version:
“Në godinën e Qytetit Studenti vendosëm që në vend të një shoqate studentore të krijonim një parti dhe u fiksua që do ta quanim Parti Demokratike…”
Të nesërmen, në një miting gjigand në qytetin Studenti, u shpall krijimi i partisë së parë opozitare në Shqipëri pas më shumë se 70 vitesh, Partisë Demokratike. Lideri i lëvizjes Studentore Azem Hajdari lexoi vendimin për krijimin e saj, ndërsa Arben Imami programin minimal të partisë. Shqipëria po hynte në një fazë të re dhe të panjohur të historisë së saj 80 vjeçare si shtet. Atë që rëndom nisi të quhet periudha e demokracisë…

Marrë nga libri “100 Vjet”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>