Në monologun e rradhës të së dielës pasdite, Kryeministri Rama lajmëroi se qeveria ka përgatitur një paketë solidariteti, për qytetarët me rastin e festave të fundvitit—natyrisht, si çdo gjë tjetër që ai bën këto ditë, paketa është më “më e madhja në 25 vite”.
Qeveria do të falë dhe ulë kamatë-vonesat për 126 mijë debitorë që kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë e energjisë elektrike, OSHEE, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe që kanë qenë të rregullt në zbatimin e kësaj kontrate.
Duke treguar mirëkuptim për vështirësitë ekonomike të shqiptarëve dhe duke u shprehur se ndihet keq për këtë gjë, Zoti Rama deklaroi se:
Për 66 539 konsumatorët pensionistë, ata në ndihmë ekonomike dhe ata me status tjetër vështirësie do të zerohen të gjitha kamatë vonesat kundrejt një pagese simbolike 20 lekë.
Për 59 461 konsumatorët e tjerë familjarë kamat vonesat do të reduktohen 80 për qind.
Por ajo që Kryeministri po e paraqit si dhuratë për shqiptarët për festat e fundivitit, është në fakt një politikë e vjetër që në vitin 2014, të cilin Kryeministri ia u ka “shitur” shqiptarëve çdo fund viti që atëhere.
Për herë të parë, skema e faljes së kamatë vonesave u shpall dhe filloi zbatimin në dhjetor 2014. OSHEE u bëri konsumatorëve familjarë pa përjashtim këtë ofertë: të gjithë ata që kanë fatura të pashlyera të energjisë elektrike, mund t’i paguajnë ato deri më 28 shkurt, duke pëfituar 80 për qind ulje të detyrimit të kamatëvonesës.
Një vit më pas, të njejtën ofertë e shiti si “ndihmë” e veçantë për familjet në nevojë, edhe pse ata përfitonin nga oferta e 2014, e cila nuk bënte përjashtim për asnjë lloj konsumatori familjar, pavarësisht kushteve ekonomike apo shëndetësore.
Në shkurt të vitit 2016, e njejta ofertë iu rishit, pensionsitëve, edhe pse ata përfitonin njësoj nga oferta e vitit 2014. Në vendimin përkatës të OSHEE-së, thuhet:
Reduktim të kësteve të aktmarrëveshjes në masën e 1200 Lekë/muaj për të gjithë pensionistët të cilët kanë një aktmarrëveshje aktive me Shoqërinë për ripagesën e detyrimeve të prapambetura dhe reduktimin e vlerës së kamatë vonesës kundrejt pagesës prej 20 lekë deri në datë 31/12/2016, në rast respektimi të pagesës se kësteve dhe pagesës se faturave korrente brenda afateve të përcaktuara.
Shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së ofertave deri në datën 31 dhjetor 2016 për konsumatorët familjarë.
Pesë muaj më vonë, në korrik 2016, Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE-së vendosi shtyrjen e afateve deri në fund të vitit 2016 për përfitimin nga kjo skemë në ndihmë të debitorëve familjarë.
Në faqen zyrtare të OSHEE-së, në lajmërimin për vendimin përkatës së Këshillit, shkruhet:
Tjetër vendim me rëndësi është shtyrja e afatit deri më 31 dhjetor 2016, i aplikimit nga OSHEE të reduktimit të kamatës me 70% për abonentët familjarë që shlyejnë të gjithë debinë me një këst.
Për kategoritë e tjera, si familjet me ndihmë ekonomike, për kryefamiljarët pensionistë apo ato me status të veçantë, OSHEE shtyn afatin e pagesës së debisë deri më 31 dhjetor 2016 me 1200 lekë/muaj, si dhe reduktimin e të gjithë kamatës kundrejt pagesës 20 lekë për ato abonentë të kësaj kategorie që tregohen korrekt në pagesat e kësteve për një periudhë të caktuar.
Këtë skemë të vjetër përfitimi, Kryeministri Rama e ripaketoi me emrin “paketë solidariteti” dhe ja u “shiti” shqiptarëve si dhuratë për festat e fundvitit, për të tretin vit rradhazi.