Prej rreth dy muajsh, 50 familje të komunitetit rom, të zhvendosur nga banesat e tyre në Bregun e Lumit, po jetojnë në një kazermë të shkatërruar ushtarake, pranë Malit me Gropa.
Reporter.al, më anë të një videoje, sjell kushtet e vështira ku shumë fëmijë e të moshuar po jetojnë në këto ditë të ftohta.
Banorët shprehen se ende po presin që Bashkia Tiranë, e cila prishi shtëpitë e tyre si pjesë e masterplanit të ri të Tiranës, të mbajë premtimet për t’i strehuar ata në banesa sociale apo për t’i ndihmuar me kredi të buta.
Në nëntor, kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia ka vënë në dispozicion bonuse qeraje për familjet që mbetën të pastruara. Por mesa duket, i vetmi vend ku familjet mund të strehohen është ish-reparti ushtarak.
Për më tëpër, kryefamiljarët e këtyre familjeve deklarojnë se kanë mbetur pa të ardhura duke qenë se bashkia nuk lejon aktivitetin me të cilët ato sigurojnë ushqimin: mbledhjen e kanaçeve në koshat e mbeturinave apo shitja e rrobave të përdorura. Një prej tyre shprehet se nuk mund të dalë me karrocë sepse ka një gjobë prej 5200 lekësh për të paguar.
Të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, këto familje duhet të presin Bashkinë Tiranë që t’i japë një banesë modeste, por që të paktën të ketë dyer e dritare.