Policia arrestoi 19 nga 26 personat e dyshuar se bashkëpunonin në kultivimin e marijuanës në Krujë. Policia shpalli shtatë persona në kërkim, sipas njoftimit të saj.
Grupi akuzohet se kishte mbjellë bimë narkotike në zonat e pyllëzuara të 7 fshatrave të Krujës: Shkretë, Mafsheq, Nojë, Picrragë, Brret, Borizanë dhe Qafë Shtamë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 33 celularë dhe një armë zjarri. Nëntëmbëdhjetë të arrestuarit janë kryesisht nga Kruja, ndërsa dy prej tyre janë nga Mamurrasi dhe Mirëdita.
Ashtu si në aksionet e mëparshme, policia nuk dha detaje të numrit të bimëve apo parcelave të asgjësuara. Muajin e fundit qeveria ka mohuar vazhdimisht rritjen e kultivimit të marijuanës.
Por në fillim të gushtit Zëri i Amerikës (VOA) raportoi se kultivimi i drogës në jug të vendit është rritur, duke u kthyer edhe në fshatin Lazarat. VOA gjithashtu vërejti se, ndryshe nga vitet e shkuara, policia nuk deklaron sasinë e bimëve apo parcelave të asgjësuara.
Këtë konstatim e përforcoi edhe një dokumentar i Rai 3 në muajin gusht, ku thuhej se një e treta e territorit shqiptar është mbjellë këtë vit me kanabis.
Megjithatë qeveria vazhdon të mendojë ndryshe.
Në dy postime në Twitter, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përshëndeti aksionin e së enjtes dhe theksoi se “historia e kanabisit në Shqipëri ka mbaruar”:
Operacioni i madh policor kundër kanabisit sot në Krujë është një tjetër goditje e fortë që shpreh vullnet të palëkundur politik dhe kapacitete të plota operacionale. Për ata që ende s’e kanë kuptuar: ka mbaruar historia e kanabisit në Shqipëri. E ardhmja jonë janë vlerat europiane. Jo kanabisi!