Goditja me bojë të zezë e godinës së Ministrisë së Brendshme sot, gjatë protestës së opozitës, ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Ministrit Sandër Lleshaj. Me anë të një statusi në Facebook, ministri Lleshaj dënoi veprimin e protestuesve dhe akuzoi si përgjegjës për të kreun e PD-së Basha.
“Modeli i sjelljes politike të Lulzim Bashës ndaj Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të cilën dikur e ka turpëruar si kreu [i] saj, dhe sot mundohet të njollosë me mjetet e tij,” shkruan Zoti Lleshaj, teksa poston dhe videon e momentit kur një prej protestuesve hedh bojë të zezë mbi murin e ministrisë.
Edhe pas protestave të tjera të opozitës, ministri Lleshaj ka sulmuar protestuesit për “sjelljet e pahijshme” ndaj policëve, madje duke i akuzuar ata për pengimin e luftës së policisë së shtetit ndaj krimit në vend.
Më 21 mars, pas protestës së opozitës, ministri Lleshaj shkruajti në Facebook:
“Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit.”
Dy javë më parë, po ashtu, Zoti Lleshaj dënoi veprimet e protestuesve ndaj policëve dhe shprehu keqardhjen e tij për “degradimin e opozitës parlamentare në gjendje parapolitike dhe respekt për përgjegjshmërinë e profesionalizimin e Policisë së Shtetit.”
Në fakt, me një vështim të shpejtë të veprimtarisë së muajit të fundit të ministrit Lleshaj, kuptohet se në qendër të deklaratave të tij kanë qenë protestuesit e opozitës. Duket se Ministri Lleshaj ka vendosur të sillet si xhandar për opozitën dhe protestat e saj, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë deklaratë për vrasjet e stilit mafioz, që kanë ndodhur vetëm në dy javët e fundit, dy prej të cilave në Tiranë, në orare dhe zona të populluara me njerëz:
Më 22 mars, rreth orës 19:00, u vra në Elbasan Ravik Gurra 50 vjeç. Ai ishte avokat i bandës kriminale të Shullazit, familjes Çapja dhe Hakmarrjes për Drejtësi. Avokati u ekzekutua me armë me silenciator, teksa ishte në tavolinë me dy persona të tjerë, në një nga lokalet në qendër të qytetit.
Më 21 mars, në Shkodër u vra Nard Polia, 35 vjeç, teksa po i jepte makinës.
Më 18 mars, në mbrëmje, rreth orën 22:00, Jurgen Kurti, 26 vjeç, u ekzektua me armë nga persona ende të panjohur. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit Dinamo, pranë shtëpisë së viktimës.
Më 16 mars, sërish në mbrëmje, Haxhi Baçinozi, 62 vjeç, u ekzekutua teksa shëtiste me të birin tek Liqeni Artificial, pranë Shkollës Wilson. Viktima ishte ish i dënuar politik.
Këto janë vetëm disa prej vrasjeve të ditëve të fundit, ndërsa që prej janarit 2019, ka pasur të paktën edhe 7 viktima të tjera. Për të gjitha këto dështime të policisë së shtetit në sigurimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, Ministri Lleshaj ka zgjedhur të heshtë.