Ministri Lleshaj sulmon protestuesit, por hesht për vrasjet e stilit mafioz

Ministri Lleshaj sulmon protestuesit, por hesht për vrasjet e stilit mafioz

Goditja me bojë të zezë e godinës së Ministrisë së Brendshme sot, gjatë protestës së opozitës, ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Ministrit Sandër Lleshaj. Me anë të një statusi në Facebook, ministri Lleshaj dënoi veprimin e protestuesve dhe akuzoi si përgjegjës për të kreun e PD-së Basha.

“Modeli i sjelljes politike të Lulzim Bashës ndaj Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të cilën dikur e ka turpëruar si kreu [i] saj, dhe sot mundohet të njollosë me mjetet e tij,” shkruan Zoti Lleshaj, teksa poston dhe videon e momentit kur një prej protestuesve hedh bojë të zezë mbi murin e ministrisë.

Edhe pas protestave të tjera të opozitës, ministri Lleshaj ka sulmuar protestuesit për “sjelljet e pahijshme” ndaj policëve, madje duke i akuzuar ata për pengimin e luftës së policisë së shtetit ndaj krimit në vend.

Më 21 mars, pas protestës së opozitës, ministri Lleshaj shkruajti në Facebook:

“Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit.”

Dy javë më parë, po ashtu, Zoti Lleshaj dënoi veprimet e protestuesve ndaj policëve dhe shprehu keqardhjen e tij për “degradimin e opozitës parlamentare në gjendje parapolitike dhe respekt për përgjegjshmërinë e profesionalizimin e Policisë së Shtetit.”

Në fakt, me një vështim të shpejtë të veprimtarisë së muajit të fundit të ministrit Lleshaj, kuptohet se në qendër të  deklaratave të tij kanë qenë protestuesit e opozitës. Duket se Ministri Lleshaj ka vendosur të sillet si xhandar për opozitën dhe protestat e saj, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë deklaratë për vrasjet e stilit mafioz, që kanë ndodhur vetëm në dy javët e fundit, dy prej të cilave në Tiranë, në orare dhe zona të populluara me njerëz:

Më 22 mars, rreth orës 19:00, u vra në Elbasan Ravik Gurra 50 vjeç. Ai ishte avokat i bandës kriminale të Shullazit, familjes Çapja dhe Hakmarrjes për Drejtësi. Avokati u ekzekutua me armë me silenciator, teksa ishte në tavolinë me dy persona të tjerë, në një nga lokalet në qendër të qytetit.

Më 21 mars, në Shkodër u vra Nard Polia, 35 vjeç, teksa po i jepte makinës.

Më 18 mars, në mbrëmje, rreth orën 22:00, Jurgen Kurti, 26 vjeç, u ekzektua me armë nga persona ende të panjohur. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit Dinamo, pranë shtëpisë së viktimës.

Më 16 mars, sërish në mbrëmje, Haxhi Baçinozi, 62 vjeç, u ekzekutua teksa shëtiste me të birin tek Liqeni Artificial, pranë Shkollës Wilson. Viktima ishte ish i dënuar politik.

Këto janë vetëm disa prej vrasjeve të ditëve të fundit, ndërsa që prej janarit 2019, ka pasur të paktën edhe 7 viktima të tjera. Për të gjitha këto dështime të policisë së shtetit në sigurimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, Ministri Lleshaj ka zgjedhur të heshtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>