Ministria nxjerr udhëzuesin për vitin e ri shkollor, nuk sqaron ku do të gjejë staf dhe ambjente për nxenësit

Nga Exit News
Ministria nxjerr udhëzuesin për vitin e ri shkollor, nuk sqaron ku do të gjejë staf dhe ambjente për nxenësit

Ministria e Arsimit ka publikuar protokollet e sigurisë që do të zbatohen nga nxënësit dhe mësuesit gjatë rikthimit në klasa, për vitin e ri shkollor.

Përmes një udhëzimi, ministria ka treguar se si do të bëhet hyrja e nxënësve në shkolla dhe si do të zhvillohet mësimi.

Por ajo që bie në sy është fakti që ministria rekomandon mbajtjen e maskave nga nxënësit dhe stafi i shkollës, si dhe vendosjen e dezinfektantëve në ambiente të ndryshme të shkollës, por nuk përcakton se kush do t’i mundësojë këto mjete.

Pra, është ende e paqartë nëse nxënësit duhet të pajisen me maska dhe dezinfektantë nga familjet e tyre, apo nëse këto do të mundësohen nga shkolla.

Po ashtu, është ende e paqartë se ku do ta zhvillojnë mësimin një pjesë e nxënësve, në ato klasa ku nuk respektohet dot mbajta e distancave, dhe se si do të mbulohet me stafin e nevojshëm të mësuesve këto klasa.

Exit News ka biseduar me mësues në shkollat e mesme të Tiranës, të cilët kanë pohuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi. Ato deklaruan se në pjesën më të madhe të shkollave të Tiranës, klasat kanë 35-50 nxënës dhe se është e nevojshme ndarja e klasave të paktën në dy grupe, për tu ruajtur distancimi social.

Edhe në rast të ndarjes së nxënësve të një klase në disa grupe, është e pothuaj e pamundur që shkolla të ketë aq shumë klasa bosh sa të vendosen të gjithë grupet e nxënësve.

Për më tepër, shtimi i grupeve të nxënësve sjell dhe nevojën për shtimin e mësuesve dhe stafeve mbështetëse.

Më poshtë janë pikat kryesore të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, të cilat janë të njëjta me ato që u përdorën për rikthimin e maturantëve në shkolla, në 18 maj.

Hyrja dhe dalja nga shkolla:

  • Nxënësit do të hyjnë me radhë në shkollë, duke mbajtur distancën 1.5-2 metra nga njëri-tjetri.
  • Personat përgjegjës nga shkolla duhet të masin temperaturën e nxënësve dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit kanë maska mbrojtëse prej lecke.
  • Nuk do të lejohet që nxënësit të dalin nga godinës dhe të rikthehen përsëri në të, brenda ditës.
  • Ministria rekomandon që në hyrje të shkollës dhe brenda ambienteve të vendosen higjenizues për duart.

Qëndrimi në klasa:

Brenda klasës, nxënësit qëndrojnë të ulur në banka të paktën 1.5 deri në 2 mera larg njëri-tjetrit. Në klasat që kjo nuk është e mundur, nxënësit duhet të ndahen në grupe më të vogla dhe të vendosen në klasa të tjera.

Mësuesi duhet në çdo moment të respektojnë distancën 2 metra nga nxënësit.

Mësuesi duhet të sigurohet që të gjithë nxënësit të jenë të pajisur me maska.

Nuk do lejohet ushqimi në klasa.

Dritaret duhet të mbahen të hapura sa më shumë të jetë e mundur. Klasat duhet të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit.

Rojet e shkollës

Rojet e shkollës duhet të jenë të pajisur në çdo moment me maskë, doreza dhe solucione dezinfektuese.

Ata duhet të ruajnë distancën nga nxënësit dhe stafi i mësuesve në çdo moment.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>