Raporti i Përparimit 2020 për Shqipërinë, mbi plotësimin e 15 kushteve të vendosura nga BE mund të publikohet më 6 tetor. Sipas European Western Balkans, Komisioni Evropian mund të diskutojë paketën e zgjerimit, edhe raportet individuale të vendeve kandidate për BE, përfshire Shqipërinë, më 6 tetor 2020.
Ky takim u përfshi në agjendën e Kolegjit të Komisionerëve, të datës 9 shtator deri në 28 tetor, e publikuar javën e kaluar.
Planifikimi është vetëm tregues sepse Presidentja e KE-së në çdo moment mund të vendosë të ndryshojë agjendën e takimeve ose të shtojë takime të tjera.
Në maj 2020, Komisioni Evropian e shtyu botimin e paketës për zgjerimin e BE-së dhe raportet e përparimit nga vendet kandidate (përfshirë Shqipërinë) për në tetor 2020. Shtyrja e raporteve u bë për shkak të pandemisë së koronavirusit
Në bazë të raportit të përparimit — Shqipëria duhet të ketë bërë progres konkret në 15 kushtet e vendosura nga Parlamenti Europian në rezolutën për hapjen e negociatave — do të vendoset data për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, e cila shënon dhe nisjen faktike të bisedimeve me BE-në.
Për të lexuar më shumë për kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë dhe sa ka arritur t’i përmbushë deri tani, lexoni këtu.