Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës ata mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një Marrëveshjeje të Re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA”.
“Marrëveshja e Investimeve Kosovë-Shtetet e Bashkuara parashikohet të sigurojë qasje në gamën e plotë të mbështetjes për investime nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit të SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
“Pas normalizimit historik ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës të rënë dakord më 4 shtator, Kosova dhe SHBA-ja synojnë të avancojnë negociatat, pas datës së hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, në lidhje me projekte të rëndësishme”, thuhet në dokument.
Pjesë e delegacionit të qeverisë amerikane i cili po qëndron në Prishtinë ishte edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Ai tha se “popullit të Kosovës i janë bërë shumë premtime dhe ajo që ne po mundohemi të bëjmë është të bëjmë premtimin se zbatimi i marrëveshjes është ajo që do të ndodhë”.
Grenell tha se në muajt e ardhshëm, nga Shtetet e Bashkuara, do të vijë një ekip për të krijuar dy studime fizibiliteti për krijimin e vendeve të punës.