Kryebashkiaku Erion Veliaj ka akuzuar Partinë Demokratike për vënie gjobash ndaj biznesit dhe kryetarin demorkat Lulzim Basha se është pasuruar me katër vila, në kohën kur qytetarët luftonin me pasojat e tërmetit.
I ftuar në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, të enjten në darkë, Veliaj tha se personat e prekur nga tërmeti, që ‘gënjejnë’ në videot e PD-së janë frymëzuar duke parë se si ka përfituar katër vila Basha në opozitë dhe mendojnë që mund të fitojnë edhe ata diçka:
“Një njeri i thjeshtë, në momentin që shikon që në kohë tërmeti kryetari i opozitës u bë me katër shtëpi, thotë ta provojë edhe unë njëherë fatin se ndoshta, kur i ecën këtij dhe në kohë fatkeqësie, pse mos përfitojë edhe unë i shkreti.
Unë e kuptoj nëqoftëse ai thotë çatia nuk m’u prish, kam katër vila dhe një po e fal për Valbonën, hallall.”
Veliaj e akuzoi Bashën se gënjen kur thotë se i ka marrë me qira vilat në rezidencën ‘Long Hill’, për shkak të dëmtimit nga tërmeti i apartamentit të tij në një pallat në Tiranë:
“Unë jam gati t’i provoj edhe dy vilat tek Long Hill dhe dy vilat në Lalëz. Ke dhe pallatin që nuk është dëmtuar dhe që u gënjye që është dëmtuar pallati i liderit të opozitës. Nuk është e vërtetë. Ka konstatim. Edhe katet pa leje jam gati t’i vërtetoj”.
Veliaj u shpreh i bindur se PS do të fitojë një mandat të tretë sepse askush nuk do të votojë për dikë që nuk ka punuar kur ka pasur pushtetin:
“Kur pyetet Lulzim Basha ore, çfarë ke bërë ti më përpara që do marrësh këtë punën më të rëndësishme? Përgjigjia është ‘gjumë’.
Ti mor zotëri që vjen e kandidon për kryeministër si e ndrite në Tiranë, më thuaj një gozhdë, që mbahet mend. Po a është normale që t’i ngeci sahati Tiranës për katër vjet?
E gjeta bashkinë me grafiti. Një njeri që nuk kishte autoritet 3 metra nga zyra vet…që nuk bëri dot një shkollë”.
Ai e akuzoi PD-së se “promovon gjobëvënien” dhe akuzoi direkt Zëdhënësen e PD-së Ina Zhupa. Sipas Veliajt, skema e gjobëvënies në PD funksionon kështu:
“Skema e Partisë Demokratike, ta them unë si funksionon. Me zëdhënësa që vënë gjoba për ndërtuesit.
Del zëdhënësja aty, zëdhënësja e PD-së, burri i saj trafikant, kontrabandist nafte, i kërkuar për 8 vite kontrabandë është një nga pronar pas Bashkisë, dhe do marri apartamentet e veta.
Kur ndërtojnë vet nuk janë kundër kullave, kur janë vetë aksioner, tek të tjerët.
Pse zëdhënësja e PD-së i fshin gjysmat e postimeve online? Vë fillimisht gjobën, shkon vilet gjoba, dhe për këtë do dal më fort, e do shkoj në SPAK e kudo tjetër.
Shkon i vihet gjobë një kompanie që nuk paguan, del në Facebook dhe në televizion me kronika të tilla, dikush paguan gjoba dhe fshihet gjoba”.