Rexhep Selimi hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj tij për krime gjatë luftës së Kosovës, ngritur nga prokuroria speciale në Hagë.
Pyetur nga gjyqtari, nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm, Selimi u shpreh:
“Kam pasur kohë të mjaftueshme që ta analizoj aktakuzën. Ndihem i pafajshëm për të gjitha pikat në akuzë.”
Për shkak të përdorimit të fjalës ‘ndihem’ gjyqtari i kërkoi Selimit të përdorë fjalë më të qartë, të përshtatshme për proceset gjyqësore.
“Zakonisht deklaroj gjërat që ndjej, por meqë duhet për arsye proceduriale, po e përsëris: Unë deklarohem i pafajashëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh Selimi.
Më herët Selimi foli dhe për luftën kundër Serbisë. Ai tha se është krenar që ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe se as ai e as UÇK-ja nuk kanë lidhje me akuzat e rënda për krime gjatë luftës.
Akuzat që rëndojnë mbi Selimin janë:
- Përndjekje, krim kundër njerëzimit;
- Burgosje, krim kundër njerëzimit;
- Ndalim arbitrar, krim lufte;
- Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit;
- Trajtim mizor, krim lufte;
- Torturë, krim kundër njerëzimit;
- Torturë si krim lufte;
- Vrasje, krim kundër njerëzimit;
- Vrasje e paligjshme si krim lufte;
- Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit.
Sipas prokurorisë, veprat e pretenduara janë kryer midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore.
Seanca mund të ndiqet live këtu.