Vendet anëtare të BE-së kanë mbështetur kuadrin negociator, planin se si do jetë rradha e çështjeve që do negociohen dhe si do të vlerësohet përparimi i negociatave për Shqipërinë.
“Teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë. Pra, nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe në lidhje me Maqedoninë e Veriut, atëherë të dy kornizat negociuese ende mund të miratohen ende para fundit të vitit. Miratimi i kornizës negociuese është kushti për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare”, tha Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) Luigi Soreca në një intervistë për Deutche Welle, sot, 19 nëntor.
Ndërsa për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare do të pritet plotësimi i dy kushteve, Gjykata Kushtetuese dhe zbatimi i ligjit zgjedhor.
“Për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë, siç e dini që nga marsi i këtij viti, janë identifikuar disa kushte. Ka disa prej tyre që ende duhet të plotësohen, dhe kjo është e qartë, kjo është arsyeja pse unë them se mesazhi është që puna duhet të vazhdojë”, tha Soreca.
Për plotësimin e këtyre dy kushteve, Soreca u shpreh se:
Gjykatës Kushtetuese mund të ngrihet deri në fund të vitit, nëse institucionet përshpejtojnë punën e tyre:
“Me sa kam kuptuar në ditët në vijim do të ketë takime të Këshillit – KED – dhe është e rëndësishme që KED të dalë me një listë që do t’u dërgohet dy autoriteteve emëruese, Presidentit të Republikës dhe Parlamentit për emërime. A është e mundur kjo para fundit të vitit? Po, nëse puna përshpejtohet”.
Ndërsa përplajset politike për ligjin zgjedhor do të sqarohen më 10 dhjetor me publimin e mendimit të Komisionit të Venecias:
“Unë mendoj se kjo çështje ka dy nën-elemente, njëri ka të bëjë me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili siç e dini do të publikohet më 10 dhjetor dhe do të ndihmojë për të dhënë qartësi në lidhje me çështjen mbi të cilën ka një mosmarrëveshje politike midis qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare”.
Soreca njoftoi se ka nisur puna për zbatimin e identifikimit biometric me KQZ-në:
“Dy ekspertët që Bashkimi Evropian ka premtuar në momentin e miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit kanë filluar të punojnë me Komisionin për identifikimin biometrik, që është një nga përfundimet shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së 5 qershorit”.