Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) ka mbledhur , 3 500 firma për “Statusin e Minatorit”, gjatë dy javëve të fundit.
Më 1 dhjetor, SMBB nisi një peticion për t’i kërkuar Kuvendit miratimin sa më parë të statusit të minatorit.
Përmes një postimi në mediat sociale, sindikata bëri me dije të hënën se mbledhja e firmave “do të shtrihet së shpejti edhe në qytete të tjerë të Shqipërisë”.
Deri më tani janë mbledhur firma në Dibër, Kukës, Klos dhe Peshkopi.
Ligji për statusin e minatorit është i domosdoshëm për minatorët dhe të gjithë ish-punonjësit e minierave, pasi parashikon trajtim të posaçëm financiar, përcaktim të saktë të viteve të punës dhe kontributeve për daljen e parakohshme në pension në krahasim me moshën e përcaktuar për profesionet e tjera përshkak të vështirësisë në punë, si dhe trajtim për invalidët gjatë punës të kësaj kategorie.
Prej disa kohësh, minatorët kanë protestuar për fitimin e statusit të minatorit.
Në vitin 2018 ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri deklaroi se po punohej për të dhe se shumë shpejtë do të kishte nje draft përfundimtar.
Në vitin 2009 kryeministri Edi Rama, atëhere kreu i opozitës premtoi se do të miratonte statusin e minatorit kur të vinte në pushtet.