Ndërkombëtarët në Shqipëri i janë qepur njëfarë afati simbolik dhe në masë të madhe të pakuptimtë për ngritjen e pjesshme deri në fund të vitit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që ata inkurajojnë njëri-tjetrin me mesazhe motivuese në Twitter, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë botuar së fundmi dy vendime, që të marra së bashku do të kenë një efekt shkatërrues mbi vetingun dhe Reformën në Drejtësi.
Më 1 dhjetor 2020, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dënoi gjyqtarin e Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) Luan Daci me 12 muaj shërbim prove për falsifikim dokumentesh. Gjatë procesit të aplikimit për t’u punësuar në KPA, organi më i lartë i vetingut, Daci kishte gënjyer për shkarkimin e tij nga detyra disa vite të shkuara.
Siç e kam shpjeguar më herët, emërimi i parregullt i Dacit në KPA është pikë kyçe në padinë e ish-prokurores Antoneta Sevdari në GJEDNJ kundër shkarkimit të saj nga komisioni i vetingut. Kjo parregullsi shkel nenin 6.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht të drejtën e njeriut për një gjykatë të paanshme të themeluar me ligj.
Edhe pse Daci do ta apelojë vendimin, deklaratat e avokatit të tij Jordan Daci, të raportuara në media, sugjerojnë që ai e pranon se është shkarkuar nga puna, por se kjo nuk përbën falsifikim dokumentesh. Pra, pavarësisht rezultatit të apelit, tashmë duket një fakt i vërtetuar mirë që Daci u emërua në KPA në kundërshtim me nenin 6(1)(dh) të Ligjit të Vetingut, që thotë se: “Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme: […]Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.”
Kur në pranverë akuzat kundër Daci morën vëmendje aq të madhe në media sa nuk mundeshin thjesht të injoroheshin më tej, burokratë në BE si drejtoresha e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Genoveva Ruiz Calavera pretenduan se shqetësimet se çështja kundër Dacit mund të shpërbëntë Reformën në Drejtësi ishin thjesht “sulme”. Këto deklarata shfaqnin paranojën, që tashmë duket se është bëërë normë, ndaj shqetësimeve të për zbatimin e reformës.
“Nuk ka asnjë bazë për të vënë në pikëpyetje themelet e procesit të reformës, sado e vështirë dhe, po, ndonjëherë sfiduese mund të jetë […] në fazën kyçe aktuale për përparimin e vendit në rrugën e integrimit evropian, kjo reformë nuk duhet të shpërbëhet nga sulmet e ndryshme. Kjo nuk është koha për ta prishur reformën dhe arritjet e saj të shumta deri më sot.”
Vëzhguesi i ONM Theo Jacobs sulmoi hapur SPAK-un për hetimin ndaj Dacit, ndërsa Delegacioni i BE pretendoi se “vendimet e marra nga Kolegji i Apelimit [ku gjyqtari Daci është anëtar] janë miratuar në bazë të një mekanizmi kolegjial të vendimmarrjes, nga një kolegj apeli i përbërë nga pesë anëtarë, dhe për këtë arsye nuk janë të varura nga një individ i vetëm.”
Sidoqoftë, në të njëjtën datë, 1 Dhjetor, Dhoma e Madhe e GJEDNJ mori një vendim unanim në çështjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, sipasi të cilit një Gjykatë e Apelit në Islandë nuk kualifikohej si “‘gjykatë e krijuar me ligj’, për shkak të parregullsive në emërimin e njërit prej gjykatësve që dëgjuan çështjen.” Me një të rënë të dorës, GJEDNJ e ka hedhur mendimin e Delegacionit të BE në koshin e plehrave të jurisprudencës.
Në këtë vendim, Dhoma e Madhe vendosi për një “provë me tre hapa për të përcaktuar nëse parregullsitë në një procedurë të emërimit në gjyqësor kanë qenë aq serioze sa të kenë sjellë shkelje të së drejtës për një gjykatë të vendosur me ligj”. Le ta rishikojmë këtë provë në dritën e emërimit të parregullt të Dacit dhe të çështjes së sjellë në GJEDNJ nga Antoneta Sevdari.
Hapi 1: Nëse ka pasur shkelje të qartë të ligjit të brendshëm
Hapi 2: Nëse shkeljet e ligjit të brendshëm i përkisnin ndonjë rregulli themelor të procedurës së emërimit gjyqësor
Të dy hapat janë konfirmuar nga vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit. Daci u dënua për falsifikim të dokumenteve që kishin të bënin me procedurën e tij të emërimit si gjyqtar në KPA. Daci ishte pushuar nga detyra si gjyqtar në 24 Dhjetor 1997, dhe për këtë arsye emërimi i tij ishte një shkelje e nenit 6(1)(dh) të Ligjit të Vetingut. Madje, vetë Daci duket se konfirmon se u pushua nga puna dhe për këtë arsye u emërua në kundërshtim me ligjin. Ai duket se vetëm kundërshton të ketë falsifikuar dokumente duke e fshehur këtë fakt.
Hapi 3: Nëse shkeljet e pretenduara të së drejtës për një “gjykatë të krijuar me ligj” janë shqyrtuar dhe korrigjuar në mënyrë efektive nga gjykatat vendase
Në rastin e Antoneta Sevdarit, përgjigjja e shkurtër është jo. KPA refuzoi ta shqyrtonte ankesën e saj, ashtu siç bëri edhe ONM. Në mungesë të ndonjë trupi tjetër gjyqësor të brendshëm që mund ta shqyrtonte çështjen, Sevdari iu drejtua GJEDNJ, ku çështja e saj aktualisht është në pritje. Duke marrë parasysh vendimin e qartë në çështjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, çështja e Sevdarit është më e fortë se kurrë.
Në vendimin e mëparshëm të Dhomës më 12 Mars 2019 në çësthjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës, GJEDNJ tashmë përcaktoi se “jo vetëm që është thelbësore që gjyqtarët të jenë të pavarur dhe të paanshëm, por gjithashtu që procedura për emërimin e tyre të duket e tillë. Për këtë arsye, rregullat për emërimin e një gjyqtari duhet të respektohen në mënyrë rigoroze. Përndryshe, besimi i palëve ndërgjyqëse dhe publikut në pavarësinë dhe paanësinë e gjykatave mund të prishet […].
Është ky erozion i besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë që fatkeqësisht është bërë një nga rezultatet kryesore të Reformës në Drejtësi. Besimi në suksesin e reformës për ka rënë disa vite me radhë, duke ardhur në 2019 me vetëm 32% të shqiptarëve që besonin se reforma po zbatohej siç duhet.
Ndërkombëtarët, me refuzimin e tyre këmbëngulës dhe neglizhencën ndaj të metave themelore të reformës që ndihmuan për të hartuar, kontribuojnë aktivisht në këtë mungesë besimi me çdo postim në mediat sociale. Qëndrimi i tyre, për më tepër, përbën një kërcënim të rëndë për atë që ata pretendojnë të mbrojnë, sundimin e ligjit, sepse vlerëson zbatimin me çdo kusht të reformës më tepër sesa legjislacioni i saktë, kontrollet dhe ekuilibrat e pushteteve, dhe të drejtat themelore të njeriut.
Vendimi i GJEDNJ në çësthjen Guðmundur Andri Ástráðsson kundër Islandës përfundon me fjalët e mëposhtme, ironike, të cilat ia vlen t’i citojmë plotësisht:
“Aktgjykimi i tanishëm do të ketë pasoja edhe për shtete të tjera përveç shtetit të paditur. Padyshim që do të lindë pyetja nëse dhe në çfarë mase vendimet e gjykatës mund të kundërshtohen në bazë të një të mete në procedurën për emërimin e një gjykatësi që do të ulet në panelin e gjykatës, një e metë e cila mund të ketë ndodhur shumë kohë para se çështja të mbërrinte para atij gjyqtari. A mund të parashikojmë që kjo çështje do t’i rikthehet gjykatës shumë shpejt, ose në kuadrin e juridiksionit të saj të diskutueshëm, ose të juridiksionit këshillimor të sapofituar?”
Ky moment do të vijë vërtet shumë shpejt. Dhe kur të vijë, as qeveria shqiptare, as institucionet e vetingut dhe as ndërkombëtarët nuk do të kenë ku ta fshehin reformën skandaloze, shkel e shko që ia kanë imponuar me detyrim popullit shqiptar.