Kreu i PD-së Lulzim Basha reagoi për darkën ministrave e zyrtarëve në Dubai, duke thënë se ndërkohë që vendi po përballet me përmbytjet, ministrat e qeverisë darkojnë në lokalet luksoze të Dubait.
Përmes një shënimi në Facebook të dielën, Basha u shpreh se ka ardhur koha që qeveria të kujdeset për njerëzit.
Basha deklaroi:
“Ndërkohë që vendi është nën ujë, mijëra familje po kalojnë dimrin e dytë në çadra, shqiptarët janë pa asnjë ndihmë përballë krizës ekonomike dhe shëndetësore, ministrat e Ramës shtrohen për shtatë palë qejfe në restorantin më të shtrenjtë në Dubai. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit, dhe jo këtë që e ka mendjen vetëm për veten e saj.”
Mbrëmjen e 9 janarit, restoranti i famshëm Nusret në Dubai postoi një video ku dukeshin teksa darkonin një grup personash. Ata ishin nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, Drejtori i Komunikimit në kryeministri Endri Fuga me bashkëshorten, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe sipërmarrësi Samir Mane.
Kryeministri Rama justifikoi darkën e ministrave dhe zyrtarëve të Bashkisë duke thënë se ‘kanë shkuar për të sjellë investime në Shqipëri’.
Duke iu përgjigjur reagimeve të shumta të qytetarëve pas publikimit të videos, Rama shkroi se grupi i zyrtarëve nga Shqipëria, kanë shkuar në Dubai për të takuar sipërmarrës të mundshëm. Shpenzimet e udhëtimit, sipas Ramës, mbulohen nga ‘mikpritësit’.