Qeveria gjermane ka mohuar të jetë vendi i Bashkimit Europian që i dha Shqipërisë 957 doza të vaksinës së Pfizer kundër COVID-19
Në një prononcim për Euronews Albania nëse i ka dhuruar vaksina Shqipërisë, Sebastian Gülde zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë gjermane u shpreh se:
“Qeveria Federale Gjermane nuk ka çuar asnjë dozë vaksine tek asnjë vned. Ne nuk kemi informacion rreth donatorit”.
Dokumente të publikuara në media të martën provojnë se dozat e vaksinës Pfizer janë prodhuar në shtetin gjerman. Ndërkohë vendi dhurues mbetet ende i panjohur.
Ditën e hënë kryeministri Edi Rama pohoi se vaksinat janë dhuruar nga një vend anëtar i Bashkimt Europian, emrin e të cilit nuk e bëri të ditur.
Ai tha se ka një marrëveshje konfidencialiteti mes dy vendeve për të mos e bërë publik emrin e vendit që dhuroi vaksinat.Rama deklaroi se një nga arsyet pse Shqipëria nis vaksinimin është për faktin se ai është kryeministër.
Shqipëria nisi dje vaksinimin kundër Covid-19, ku të parët u vaksinuan mjekët dhe infermierët.