Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me aktin e sanitares së Shefqet Ndroqit.
Gjatë një vizitë në qendrën shëndetësore 1, Rama dënoi aktin e saj duke u shprehur se ka cenuar imazhin e mjekut, infermierit në këtë kohë.
Ai falenderoi gjithashtu dhe emisionin investigativ për punën e bërë në këtë rast.
“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët dhe sidomos ata që punojnë në kushte siç punoni dhe ju para pak kohësh. Patjetër në këtë situatë kaq dramatike, jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares që faktikisht cenon imazhin, punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve dhe krijon perceptimin që këtu është një mënyrë të punuari e shumë njerëzve apo është pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë”
Mbrëmjen e 12 janarit në emisionin Stop u raportua se sanitarja Tire Alldervishaj ka mashtruar duke u hequr si infermiere dhe i ka marrë familjes së pacientes rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet brenda në spital. Menjëherë pas lajmit, ministria ka dënuar aktin dhe kërkon shkarkimin e sanitares.
Mëngjesin e së mërkurës, sanitarja u arrestua.
Vajza e pacientes ka denoncuar sanitaren dhe ka dorëzuar në prokurori bisedat me sanitaren për paratë e marra.
Sipas bisedave, sanitarja i kërkonte para vajzës për t’ia shpërndarë mjekëve dhe infermierëve që kujdeseshin për pacienten. Po ashtu sanitarja kërkonte ushqim, ujë dhe mjete të tjera që duhet të mundësoheshin nga spitali, si termometër dhe pampersa.
Paraditen e së mërkurës, spitali Covid2 kërkoi hetim të plotë ndaj sanitares dhe u distancua nga veprimet e saj. Spitali theksoi se ‘ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor’.