10750 dozat e vaksinës së Pfizerit, të cilat duhet të vinin në vend javën e tretë të janarit, do të vonohen.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se dhe Shqipëria është prekur nga vendimi i kompanisë Pfizer për të shtyrë datat e dorëzimit të vaksinës.
“Pfizer ka bërë një deklaratë që ka ndezur zjarr, polemikën me shumë shtete të BE-së, duke thënë që do ta shtyj për një javë procesin e dorëzimit të dozave që ka kontraktuar. Si t’ia bëjmë tani? Kaq e thjeshtë është.”
Në fillim të janarit, teksa lajmëroi kontratën me Pfizerin për 500 mijë doza vaksine, Rama tha se 10750 doza të para do të vijnë në javën e tretë të janarit.
Në mes të janarit, shumë vende europiane deklaruan se po marrin më pak dërgesa vaksinash anti-Covid nga Pfizeri, pasi kompania amerikane ka ngadalësuar dërgesat.
Suedia, Danimarka, Finlanda, Lituania, Letonia dhe Estonia i kërkuan BE-së të ushtrojë presion mbi kompanitë Pfizer-BioNTech për të shtuar prodhimin.
Në 15 janar, Pfizer tha se dërgesat e reduktuara janë thjesht një çështje e përkohshme.
Në një deklaratë, kompania tha se dërgesat po ndikohen nga ndryshimet në proceset e prodhimit të bëra për të rritur prodhimin. “Megjithëse kjo do të ndikojë përkohësisht në dërgesat në fund të janarit deri në fillim të shkurtit, ky proces do të sigurojë një rritje të konsiderueshme në doza të disponueshme për pacientët në fund të shkurtit dhe marsit.”
Ndërkohë Shqipëria ka nisur procesin e vaksiminimit të mjekëve me vaksinën e Pfizerit, me 975 doza të dhuruara nga një vend ende i panjohur.
Të gjithë ata që kanë marrë një dozë, duhet të marrin të dytën në javën e parë të shkurtit.