Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka konfirmuar se në rezultatet përfundimtare për kandidatë do të llogariten vetëm votat e atyre që janë certifikuar.
Kosova ka një sistem zgjedhjesh me lista të hapura, ku votuesit përveç partisë mund të zgjedhin edhe 5 kandidatë të preferuar të saj nga 110 në total.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.
Siç tha ai, fillimisht numërohen votat për secilën parti apo koalicion. Pas kësaj numërohen votat për kandidatët në listatet e partive që shënohen në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këtë formularë sipas Elezit do të llogariten vetëm votat e kandidatëve të certifikuar.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është përjashtuar nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit pasi ndaj tij ka patur një dënim nga gjykata gjatë 3 viteve të fundit.
Megjithatë Kurti i ka thënë qytetarëve se ai vijon të kryesojë listën e VV-së në zgjedhje duke i ftuar ata që të votojnë atë.
Por sipas KQZ-së nëse një qytetar voton për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, vota e tij do të llogaritet vetëm për partinë ndërsa për Kurtin nuk do të ketë vlerë.
Sipas Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thirrja për të votuar Kurtin bëhet që ai të fitojë legjitimitet moral për të marrë detyrën e kryeministrit nëse VV-ja arrin të sigurojë shumicën e nevojshme.