I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se arritja e një marrëveshje mes dy vendeve është e mundshme.
Në një intervistë për gazetën serbe Danas, Lajçak tha se është në interes të vendeve të arrijnë një marrëveshje.
“Bashkimi Evropian është i bindur se normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është absolutisht i mundur. Është në interesin e tyre, në interesin e të gjithë rajonit dhe, natyrisht, në interesin e BE-së”
Më herët fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti deklaroi se dialogu nuk është prioritet për qeverinë e tij. Në lidhje me këtë deklaratë, Lajçak tha se BE është ndërmjetëse në dialog dhe nuk do të imponojë asgjë.
Bashkimi Europian dhe Departamenti i Shtetit i bënë thirrje Kosovës të vazhdojë bisedimet me Serbinë.