Matthew Palmer, Zv/ndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, dha mesazhin se nën administratën e re të Presidentit angazhimi amerikan në këtë rajon mbetet i pandryshuar.
“Politika amerikane, angazhimi amerikan, strategjia amerikane në Ballkanin Perëndimor, ka qenë në thelb e qëndrueshme nga administrata në administratë. Kjo sepse interesat amerikanë janë konstante,” tha zoti Palmer në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Gjithsesi, Zoti Palmer zgjodhi të theksojë angazhimet e SHBA-ve në rajon krah partnerëve europian, një zhvendosje nga qëndrimi i adminsitratës së mëparshme të Presidentit Trump, e karakterizuar nga tensione në raport me partnerët perëndimor.
“Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet evropiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin,” tha zoti Palmer.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur se SHBA do të do të inkurajojnë qeverinë e re, që t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.
Një koment i tillë mund të interpretohet edhe si një sinjal për kreun e projektuar të qeverisë së ardhshme të kosovës, Z. Kurti, i cili ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re.
“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe punën e Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm për Bashkimin Evropian,” tha zoti Palmer.
Ai theksoi se hapat pozitive në një drejtim të caktuar në Ballkanin Perëndimor sjellin pasoja pozitive diku tjetër në rajon.
“Nëse mund të ketë normalizim dhe ripajtim Serbi-Kosovë, unë do të thosha se kjo është gjë e mirë për të gjithë në rajon,” tha zëvendës ndihmës sekretari i shtetit amerikan.