Partia Demokratike paralajmëroi të premten në mbrëmje se do të bëjë publike provat për Taulant Ballën, i cili sipas PD ka bërë presion për vota.
“Taulant Balla është mësuar që të bëjë edhe shkelje më të rënda se kjo për të cilën është kallëzuar në SPAK, dhe tja hedhë, sepse ka pasur mbrojtjen e Edi Ramë”, njoftoi PD përmes një postimi në Facebook.
Të enjten Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi njoftoi se PD e ka kallëzuar në SPAK rastin. PD tha në njoftimin e së premtes se ka depozituar prova konkrete “se si “Shtabi i tij i Peshkut” intimidon personat që marrin ndihmë ekonomike, përmes telefonatave”.
PD njoftoi se do të bëjë publike provat që zotëron të cilat i ka dorëzuar në Prokurori, “do të merremi me faktet”, tha PD.
Balla reagoi të premten për kallëzimin e PD, duke thënë “për Gazin një gjë ua them me siguri të plotë, kur të dalë rezultati i zgjedhjeve në Elbasan, Gazi do padisë dhe do kallëzoj në prokurori për tradhti të lartë dhe për tallje me udhëheqjen të gjithë PD-në e Elbasanit”.
PD i cilësoi si deklarata që “burojnë nga dëshpërimi i humbjes së sigurtë, dhe nga angazhimi që kemi për të hetuar aferat korruptive sapo të vijmë në pushtet, le t’i mbajë për t’u ngushëlluar edhe këto pak ditë që i kanë ngelur”.