Prokuroria e Posaçme Antikorurpsion SPAK ka kërkuar 2 vjet burg dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Kërkesa e SPAK u bë sot në seancën e parë të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Llalla po gjykohet për akuzën e fshehjes së pasurisë. GJKKO pranoi me 5 mars kërkesën e ish- Kryeprokurorit Adriatik Llalla për gjykim të shkurtuar.
Në mars 2020, SPAK mbylli hetimet për Llallën dhe dërgoi në gjykatë çështjen. Llalla akuzohet për fshehje të pasurisë. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal, dënohet deri në 3 vjet burgim.
Hetimet ndaj tij nisën në mars të vitit 2018 dhe u zgjatën vazhdimisht. Në mars të vitit 2019 Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi t’i zgjaste edhe me tre muaj hetimet ndaj Llallës.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u hetua për katër vepra penale; fshehje pasurie, mosdeklarim i të ardhurave në kufi, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, por në fund tre akuza u rrëzuan dhe mbeti në fuqi vetëm ajo për fshehje pasurie.