Kryeministri Edi Rama u shpreh të mërkurën se është i gatshëm të bashkëpunojë me kreun e PD Lulzim Basha pas 25 prillit. Ai tha se ka një kusht për këtë, Basha duhet të shkëputet nga Berisha dhe Meta, sipas Ramës.
Ai dha një intervistë në Report TV nga Dibra, ku foli për ecurinë e fushatës.
“Pas 25 prillit jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dhe me Bashën, por me një kusht të thjesht që të ndahet nga Meta dhe Berisha. Për të transformuar një jetë politike që është realisht që është kthyer në stres për shqiptarët”, tha Rama.
Ai tha se është i gatshëm për një bashkëpunim si në vendet europaine “që ne duam të arrijmë dhe atyre që ne duam t’i ngjajmë”.
Ai tha se nuk do të flasë për gjëra konkrete, “se ne do kemi shumicën”.
“Por sidoqoftë në emër të shumicës unë jam shumë i gatshëm të shkoj përtej politikës së këtyre viteve dhe të angazhohem që politika e ardhshme të jetë 100% të mirëqenies shqiptare, jo te konfliktet dhe idiotësisë”, tha Rama.
Ai e ka cilësuar sërish Bashën si një kukull.
Rama i kujtoi Bashën kohën kur ai ishte ministër i brendshëm në ngjarjen e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 persona.
“Shpesh ne tallemi me lapsuse që të bëjmë për të qeshur, për në fakt nuk të bën për të qeshur kur firmos një marrëveshje dhe humb territorin, kur rri në krye të dikasterit dhe vriten 4 njerëz në bulevard dhe del në krye të dikasterit tjetër dhe humbin qindra milionë euro. Nuk ia vlen të humbasim kohë më tutje. Nuk ia vlen të merremi kaq shumë”, tha Rama.