Kandidati i pavarur në qarkun e Dibrës Elton Debreshi ka renditur arsyet pse dibranët nuk duhet të votojnë Partinë Socialiste.
“Si një prej qarqeve më të varfra në vend, vitet e fundit Dibra ka pësuar largimin më të madh të popullsisë për shkak të varfërisë e papunësisë”, shprehet Debreshi në një video të shpërndarë në Facebook.
Debreshi thotë se kjo ka bërë që qarku i Dibrës të humbas një deputet në Kuvend.
Një arsye tjetër që ai rendit është se PS e ka shkelur premtimin e miratimit të Statusit të Minatorit.
“Qeveria aktuale ka dhënë me koncesnsion burime jetike si pyjet dhe lumenjtë Zall Gjocaj, Valikardh, Bulqizë, Cidhnë, duke i varfëruar më tej banorët”, thotë Debreshi në videon e tij.
Një arsye tjetër pse dibranët nuk duhet ta votojnë PS, sipas Debreshit, është se PS ka hequr minerare për pronarët e galerive, duke ulur fondet lokale për komunitetin.
“Pavarësisht se Dibra është një zonë me burime të mëdha ujore, në shumë zona ende mungon uji i pijshëm”, është një tjetër arsye e renditur.
Debreshi shprehet se në qarkun e Dibrës mungojnë shumë rrugë rurale dhe të tjerat janë në kushte të mjerueshme.
Po ashtu, Debreshi thekson se ka probleme të thella në furnizimin me energji elektrike, shërbimin spitalor, kushtet e arsimit etj.
“Kjo qeveri duhet ndëshkuar”, thotë Debreshi.