Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takua të hënën me zyrtarë të lartë të BE-së në Bruksel për të diskutuar mbi dialogun me Kosovën.
Vuçiç filloi vizitën e tij dy-ditore në BE, të dielën, në mbrëmje me një takim me të dërguarin e BE-së mbi dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajcak.
“U takova me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të diskutuar mbi dialogun Beograd-Prishtinë. Këtë javë, do të diskutoj të njëjtën çështje me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”,shkroi Lajcak në Twitter.
Të hënën, Aleksandër Vuçiç u prit nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ne diskutuam për luftën kundër COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike, procesin e pranimit ku duhet të vazhdojmë të shohim zhvillime pozitive në sundimin e ligjit, dialogun Beograd-Prishtinë dhe hekurudhën Beograd-Maqedoni të Veriut, të cilat ne jemi të gatshëm t’i mbështesim”, shkroi von der Leyen në një postim në Twitter.
Vuçiç u takua gjithashtu me Komisionerin Olivér Várhelyi.
“Diskutuan për përshpejtimin e negociatave të pranimit me Serbinë, bazuar në përparimin e e bërë në axhendën e reformave të BE-së,” shkroi Várhelyi në Twitter.
Presidenti serb do të takohet gjithashtu me Përfaqësuesin e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Të njëjtët zyrtarë të BE do të takohen edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tre ditë më vonë, të enjten.