Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka dënuar sjelljen në Kuvend të përfaqësuesve të PDK-së ndaj ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla-Scwarz dhe ka akuzuar deputetë të PDK-së se kanë ofenduar dhe kërcënuar ministren.
Kusari – Lila e ka quajtur të papranueshëm debatin e ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe i ka vlerësuar si fyerje dhe kërcënime disa nga fjalët e deputetëve të PDK-së ndaj ministres Gërvalla.
Partia Demokratike e Kosovës, kërkoi shkarkimin e ministres së Jashtme në Kuvend, për shkak të qëndrimit të saj për hetimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me qendër në Hagë në një intervistë të transmetuar në 2017.
Abelard Tahiri, një deputet i PDK-së e quajti Gervallën një përfaqësuese të Serbisë në Parlamentin e Kosovës, ndërsa e quajti “turpi më i madh i Kosovës”.
Kusari-Lila e Vetëvendosjes është shprehur se deputetët e PDK-së po synojnë të ndryshojnë të vërtetën e qëndrimeve që kanë mbajtura ndaj Gjykatës Speciale në vitin 2015.
“Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi, kush e votoi dhe kush e instaloi Gjykatën Speciale dhe se si sot përceptohet dhe deklarohen po të njëjtit, është për keqardhje”, ka thënë mes tjerash ajo, raporton REL.
Kërkesës së PDK-së për shkarkimin e ministres Gërvalla i është bashkuar edhe partia Nisma e Fatmir Limajt.