Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i ka dënuar si të papranueshme sulmet personale ndaj ministres së jashtme Donika Gërvalla gjatë seancës së Kuvendit ditën e enjte.
Në një reagim në Twitter, ambasadori Rohde është shprehur se situata e krijuar në parlamentin kosovar si dhe sulmet ndaj ministres janë “të papranueshme”.
Ai ka theksuar gjithashtu se “luftimi i pandëshkueshmërisë dhe hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit” janë pjesë e angazhimeve që Kosova ka ndërmarrë.
Rohde ka shprehur mbështetjen e Gjermanisë për zgjedhjen e këtyre çështjeve përmes Dhomave të Specializuara në Hagë të cilat siç nënvizon ambasadori janë të krijuara nga ligji kosovar.
Partia Demokratike e Kosovës, kërkoi shkarkimin e ministres së Jashtme në Kuvend, për shkak të qëndrimit të saj për hetimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me qendër në Hagë në një intervistë të transmetuar në 2017.
Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, akuzoi Gervallën si përfaqësuese të Serbisë në Parlamentin e Kosovës, ndërsa e quajti “turpi më i madh i Kosovës”.
Kërkesës së PDK-së për shkarkimin e ministres Gërvalla i është bashkuar edhe partia Nisma e Fatmir Limajt.
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka dënuar sjelljen e përfaqësuesve të PDK-së dhe i ka akuzuar se kanë ofenduar dhe kërcënuar ministren.