Partia Demokratike ka akuzuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) se është bërë palë në zgjedhjet e 25 prillit pasi Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) shtyu vendimin për kërkesën e PD-AN dhe LSI për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun Berat.
Tomor Alizoti, deputet i zgjedhur i PD në Berat, kërkoi nga KQZ që të njohë faktet e paraqitura nga ata për manipulimin e zgjedhjeve në këtë qark.
Sipas Alizotit ka pasur blerje votash, keqpërdorim të parave publike dhe ndihmave të rezervave të shtetit me qëllim deformimin e vullnetit të qytetarëve.
Ai hodhi gjithashtu dyshime mbi numrin e lartë të votave të pavlefshme në qarkun e Beratit.
“Është për t’u habitur dhe për t’u çuditur që mandati i LSI-së u nda vetëm për 77 vota, ndërsa 5292 vota u shpallën të pavlefshme.”, tha Alizoti.
Përfaqësuesi i PD përsëriti edhe njëherë se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen.
KAS kërkoi të premten më tepër kohë për shqyrtimin e provave të paraqitura nga subjektet zgjedhore PD-AN dhe LSI, për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun Berat.
Vendimi pritet të merret të shtunën, më datë 15 maj në orën 10:00, pas administrimit të provave.