Kryeministri Edi Rama dhe udhëheqësit e tjerë të Ballkanit do të takohen sot, 18 maj në Bruksel me kreun e diplomacisë së BE-së Josep Borrell, në një darkë pune informale. Qëllimi i takimit është diskutimi i procesit të integrimit të rajonit në BE.
Kjo do të jetë vizita e parë në Bruksel e kryeministrit Rama pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Gjithashtu, ky pritet të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, raporton KosovaPress.
“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta”, ka deklaruar zëdhënësi i Kurtit, Kryeziu, për median e Kosovës.
Synimi i takimit do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve bilaterale midis shteteve.