Bashkimi Europian ka vendosur për herë të parë të enjten sanksione ekonomike ndaj Bjellorusisë, një muaj pasi një fluturim i Ryanair u detyrua të ndalonte në Minsk me qëllim arrestimin e një figure opozitare ndaj presidentit Lukashenko.
Sanksionet synojnë eksportet e Bjellorusisë dhe aksesin në shërbime financiare
Ato përfshijnë ndalimin e bizneseve të BE nga importimi i mallrave ose të bërit biznes me kompani bjelloruse në sektorë bankarë, të produkteve të naftës dhe potasium, një kripë e përdorur si pleh kimik që është eksporti kryesor i vendit.
Sanksionet janë shumë më të rrepta sesa masat e vendosura në të kaluarën, të cilat kishin të bënin kryesisht me futjen e disa zyrtarëve në ‘lista të zeza’ dhe kishin pak ose aspak ndikim në sjelljen e presidentit Lukashenko.
Sipas sanksioneve të reja, qytetarët e BE nuk mund “të shesin, furnizojnë, transferojnë ose eksportojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë tek dikush në Bjellorusi” pajisje, teknologji ose softuer komunikimi që mund të përdoren për monitorim ose represion.
Tregtia e produkteve të naftës, potasit dhe produkteve të duhanit është e kufizuar. Aksesi në tregjet e kapitalit të BE tani është gjithashtu i kufizuar. Kompanitë ose qytetarët e BE nuk mund të ofrojnë shërbimet siguracioni për qeverinë Bjelloruse ose organet dhe agjencitë publike. Banka Evropiane e Investimeve do të ndalojë huadhënien për Bjellorusinë.
Që nga incidenti i Ryanair, BE ka ndaluar gjithashtu fluturimet mbi territorin bjellorus nga linjat ajrore të saj dhe ka dëbuar linjat bjelloruse nga hapësira e saj ajrore.
BE, SHBA, Britania dhe Kanadaja gjithashtu zgjeruan listat e zeza këtë javë. BE ka ndaluar 166 persona të udhëtojnë ose të bëjnë biznes në vendet e saj anëtare, përfshirë biznesmenin rus Mikhail Gutseriyev, investitori më i madh i huaj në Bjellorusi.
Më 23 maj një fluturim nga Athina për në Vilnus bëri ulje të detyruar në kryeqytetin e Bjellorusisë pas një alarmi të rremë për pengmarrje. Autoritetet Bjelloruse arrestuan një gazetar disident dhe të dashurën e tij pas uljes së avionit, në një incident të cilin vendet perëndimore e quajtën pirateri shtetërore.
Përmes sanksioneve, BE po ushtron presion ndaj Bjellorusisë deri sa Lukashenko të pranojë të zhvillojë zgjedhje të reja dhe të lirojë të burgosurit politikë.